21 shtator 2013- Menjëherë pas publikimit në rrjetin social “Facebook”, të fotove të Kryeministrisë nga Edi Rama, është kundërpërgjigjur ish-zëdhënësja e ish-kryeministrit, Erla Mëhilli, duke publikuar foto të këtij institucioni në kohën kur ai drejtohej nga Berisha. Me titullin “Kryeministria siç ishte dhe siç e keni parë”, Mëhilli bën me dije se gënjeshtra është bërë bashkudhëtare e pandarë e gjysmë piktorit tashmë edhe gjysmë fotograf.

“Kjo Kryeministri, që ka pritur njerëz të mëdhenj të kësaj toke, si Xhorxh Bush e Hillary Clinton etj, e që u hap për qytetarët më 28 nëntor, duhej të rrënohej vetëm që dikush të mbushte xhepat që në ditët e para, pa filluar mirë punën. Është e lehtë të rrëzosh një stemë republike, të shkulesh kangjellat, të grisësh perdet e sallës së mbledhjeve, apo të ndërrosh kolltukët e zyrave për të mbushur xhepat. Por, si u siguruan fondet? Kush i financoi punimet?

Me ç'procedura u prokuruan materialet dhe shërbimet e kryera? Sa kushtoi e gjithë kjo? Gjithçka jashtë çdo lloj procedure ligjore dhe pa transparencë, përveç përfitimit apo favoreve. Duke parë fotot që kishte publikuar kryeministri i fasadave, më erdhi në mend shprehja: “Mjerë shtëpia kush ka hyrë brënda”. Rama qimen e ndërron, por fasadat s’i harron!!”, shkruan Mëhilli me ironi.