21 tetor 2013- Ish-shefi i Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave, Denion Meidani, ka reaguar dje ndaj letrës së publikuar nga kreu i këtij institucioni, Elisa Spiropali. Nëpërmjet një reagimi për mediat, ai deklaroi se eshte krenar pwr mbiemrin dhe se po pret agrumente nga Komiteti i Disiplinës për pezullimin nga detyra. 

“Doja t’i bëja me dije zonjës se jam krenar për mbiemrin tim dhe se nuk e kam përdorur askund me apo pa vend dhe nuk i bën aspak nder që mendon se mund të abuzojë, duke pretenduar që unë e paskam çdo gjë të dhuruar. Kam studiuar vetëm jashtë ku mbiemri i asnjërit nuk merret parasysh, por gjykohet vetëm nga dijet, puna dhe kapacitetet. Kam punuar si në sektorin publik dhe atë privat me rezultate e arritje të dukshme dhe, ndryshe nga ajo, edhe në doganë nuk jam katapultuar, por kam hyrë me konkurrim dhe rezultate”.

Sipas tij, drejtoresha e Doganave ka marrë këtë pozicion pa pasur më parë asnjë eksperiencë në sektorin privat apo administratën publike. 

“Është fatkeqësi që një institucion shtetëror kaq i rëndësishëm ka për titullare një vajzë të paditur e të pamësuar, që fshihet mbas arrogancës dhe agresivitetit të saj për të mbuluar defektet që zotëron”, u shpreh më tej Meidani.

Ai iu përgjigj gjithashtu akuzave të Spiropalit, sipas së cilës ish-shefi i Antikontrabandës është shkarkuar në disa nga detyrat që ka mbajtur më parë.

“Doja të më thoshte se ku i kam këto shkelje të shumta si në detyrën e fundit dhe ato paraprake, sepse i konsideroj si shpifje të ulëta dhe asgjë më shumë. Gjithashtu doja të pyesja zonjën se nga cilat detyra jam shkarkuar në vazhdimësi, sepse kjo është qesharake dhe nuk i lejohet drejtueses së institucionit ku unë punoj dhe ka dosjen time të plotë, përfshi këtu edhe librezën time të punës. E këshilloj këtë vajzë të nxituar të konsultohet më shpesh me letrat në institucion, sepse nuk punon më në OJQ”, thotë Meidani.  “Mendoj se asnjë nga publiku nuk e besoi Kryeministrin kur tha që Elisa sapo erdhi te Dogana, brenda natës e bëri të dukshme punën e saj duke i vënë gjobën te depozitat e kompanisë ‘Ada Petrol’ në Lezhë. Forcat e Antikontrabandës kishin shkuar dhe po punonin që në orën 11:00 te depozitat në fjalë, ndërkohë që vetë zonjusha Spiropali u prezantua në orën 13:00 nga ministri i Financave në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave”, deklaroi Meidani. 

Spiropali është shume naive që hedh baltë mbi mua dhe emrin e familjes time, dhe pret të mos  marrë asnjë reagim.

“Refuzoj gjithashtu të pranoj qe paska dëmtuar imazhin e institucionit dhe pres nga zonjusha që ta ketë dokumentuar edhe këtë gjë me seriozitet, por ama nuk besoj se është kaq naive sa të mendojë se mund të hidhte baltë në media mbi mua dhe emrin e familjes time dhe të mos merrte asnjë reagim. Më bënë të qesh ofertat e saj të ndryshme të mëparshme për vende alternative apo kur mendon se mund të më kërcënojë duke më thënë se ‘mua si drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar’ dhe ia përsëris sërish se në çdo rast nuk do doja të isha në marrëdhënie pune e të bashkëpunoja me një drejtuese pa eksperiencë, të panxënë e të papërgjegjshme si ajo. Ngelem në pritje që të më serviren në Komitetin Disiplinor prova e fakte e jo llogje pazari”.