Flasin shkrimtarët durrsakë Agim Bajrami dhe Nikolla Spathari. Pse botimi, shitja dhe leximi i këtij libri nuk përbëjnë problem, 67 vjet pas vdekjes së Hitlerit. Historia e një libri që ka shitur miliona kopje në gjithë botën.

Botimi i "Mein Kampf" (Lufta ime) në Shqipëri u shoqërua me debate të shumta në media, të cilat dashur padashur i bënë reklamë traktatit politik të Hitlerit që erdhi këtë herë në shqip nga shtëpia botuese "Belina H". Në ndryshim nga disa vite më parë, kur libri u përkthye, u botua, u hodh në treg e pastaj po brenda ditës u tërhoq me shpejtësi të madhe, duke mos lejuar shitjen e asnjë kopjeje me përjashtim të atyre që tashmë kishin rënë në duart e lexuesit, këtë herë libri po vijon të shitet normalisht, madje në disa pika shitjeje nuk ka më kopje të tij.

Edhe këtë herë u fol shumë se libri bie në kundërshtim me kodin penal shqiptar, pasi ai nxit urrejtjen racore, fetare e mes kombësive, por gjithsesi lexuesit shqiptarë shfaqën interes për të lexuar librin e vetëm të udhëheqësit të Gjermanisë, shkaktarit të Luftës së dytë Botërore e Holokaustit ku humbën jetën rreth 6 milion hebrenj. Gjëja e ndaluar përherë shërben si katalizator për të nxitur më shumë kureshtjen dhe kjo duket se qe arsyeja e parë që i shtyu lexuesit shqiptarë të fusin në bibliotekat e tyre "Mein Kampf".

Nga ana tjetër, besoj se shumë nga ata që kanë qenë të interesuar të njohin traktatin politik të Hitlerit e kanë lexuar edhe në gjuhë të huaj. Dhe kjo dëshirë për të lexuar librin nuk përkthehet me dëshirën për të njohur e ndjekur ideologjinë naziste, përkundrazi në radhë të parë nënkupton interesin për të njohur teoritë e formuluara nga ai që u quajt më pas kasapi i njerëzimit, për të gjykuar e shprehur mendim pikërisht mbi këtë ideologji e teori që udhëhoqi breza të tërë gjermanësh dhe që qe ideologjia mbizotëruese e një njeriu dhe e një shteti që tentoi të vendoste një rregull të ri botëror.

Në parathënien e librit thuhet se, "miti i këtij libri është shtuar vetëm nga aureola e gjësë së ndaluar që e ka mbështjellë. Në një farë mënyre, një libër i tillë nuk e meriton kaq shumë zhurmë e vëmendje dhe një mënyrë për t'ia hequr është bërja publike e tij". Të njëjtin mendim ndajnë edhe dy autorët durrsakë Agim Bajrami dhe Nikolla Spathari. Për Bajramin, në një kohë kur në tregun e librit po shpërndahen dhe po shiten lloj lloj librash, të çfarëdolloj shkolle apo filozofie politike edhe "Mein kampf" mund të botohet.

"Për mua nuk përbën ndonjë shqetësim të madh. Ne jemi njohur me teoritë staliniste, jemi injektuar për 50 vjet me radhë me bolshevizmin, socialdemokracinë e lloj-lloj rrymash të tjera kështu që pse të mos njihemi edhe me librin e Hitlerit". Prandaj Bajrami thekson se për një njeri që është në vazhdën e mbushjes së tij kulturore e filozofike edhe njohja dhe leximi i "Mein Kampf" është një pjesë e kësaj kulture.

Ndërkohë kryetari i klubit të shkrimtarëve dhe artistëve durrsakë, Nikolla Spathari shprehet se nuk duhet të na shqetësojë kaq shumë botimi dhe hedhja në treg e "Mein Kampf". Sipas tij, "ai është një libër që nuk lexohet nga të gjitha shtresat, por lexohet nga ata që dinë të bëjnë dallimin mes asaj që është e mirë e asaj që është e keqe, pra që dinë të bëjnë dallimin dhe të mbajnë qëndrim kritik ndaj ideve që Hitleri kërkonte të rrënjoste në mendjet e njerëzve". Spathari mbështet idenë që ndoshta libri duhet të ishte shoqëruar me një hyrje më kritike dhe më të detajuar nga ajo që kanë botuar në fillim të librit botuesit e tij, por gjithsesi kjo nuk duhet të kthehet në pengesë për blerjen dhe leximin e veprës. "Nuk duhet parë si një hata e madhe botimi i tij",- thotë Spathari.

Për lexuesit e viteve të Luftës së dytë Botërore, vepra e Hitlerit ishte mjaft e njohur, pasi ai ishte kthyer në bestseller jo vetëm në Gjermani, por edhe në shumë vende të tjera europiane. Pas luftës, askush nuk donte të dëgjonte për librin e diktatorit gjerman dhe mijëra kopje u zhdukën. Por tani rreth 70 vjet pas konfliktit të përgjakshëm popullor, njerëzit janë të interesuar të njohin nga afër ideologjinë hitleriane, atë filozofi që shkaktoi disa nga krimet më makabre të njerëzimit në emër të pastërtisë së racës.

Ndërsa Agim Bajrami shton se vetë njerëzit, veçanërisht brezat që lindën pas Luftës së dytë Botërore kanë pasur etjen dhe dëshirën për t'u njohur me këtë libër, sepse ai është lakuar shumë edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste, megjithëse në një sens tjetër. “Njerëzit duhet të njohin taktikat, strategjitë dhe konceptet e asaj kohe e natyrisht duhet të bëhen më vigjilentë. Mendoj se është mirë që njerëzit e kohëve tona që e kanë harruar dramën e luftës të njihen sa të mundin me ideologjinë e asaj kohe, me teoritë që e udhëhoqën Gjermaninë dhe e çuan në shpërthimin e konfliktit të dytë botëror”.

Pra në një farë mënyre ky libër është një paralajmërim për brezat e rinj që çmenduri të tilla të mos përsëriten më. Atij i duhet hequr velloja e misterit që e ka karakterizuar për të parandaluar ekstremizmin dhe urrejtjen e çdo lloji. 

Mein Kampf

Ai është konsideruar traktati politik i Hitlerit dhe është gërshetuar edhe me elementë autobiografikë. Ai mund të shihet në të njëjtën kohë si libri më i rëndësishëm gjatë Rajhut të tretë, një lloj bible e nacional-socializmit. Hitleri nisi ta shkruante atë gjatë verës së vitit 1924, ndërsa vuante dënimin me burg për përpjekjen e dështuar për rrëzimin e qeverisë. Në fillim ai u konceptua prej tij si një libër autobiografik, por më vonë udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë e pa atë si një libër ku përshkruhej ideologjia e tij e për këtë arsye i ndryshoi dhe titullin e gjatë "Katër vjet e gjysmë luftë kundër gënjeshtrave, marrëzisë dhe poshtërsisë" për ta titulluar thjesht "Lufta ime". Pasazhet autobiografike në libër janë të rralla, të tepruara dhe ndonjëherë jo të sakta. Hitleri përgjatë gjithë librit i mëshon synimit për ta portretizuar veten si udhëheqës i madh revolucionar. Ai kishte interes të kultivonte tek lexuesit mitin e tij si shpëtimtar i popullit gjerman. Hakmarrja është tema qendrore e të gjithë librit. Autori e shpreh urrejtjen ndaj kundërshtarëve, përbuz gati të gjitha klasat sociale, racat, besimet, shtetet e tjera. Dy janë elementet themelore të vizionit të tij që diskutohen gjerësisht në libër dhe që përbëjnë thelbin e ideologjisë nacional-socialiste. Njëra është doktrina e luftës racore, që është dhe themeli i filozofisë së tij, sepse e konsideronte "ligj të hekurt të Natyrës". Ai besonte në mbijetesën e më të fortit, duke ngulmuar se raca ose duhet të luftojë, ose është e destinuar të zhduket. Objekt tjetër i urrejtjes racore të tij ishin sllavët dhe mbi të gjitha hebrenjtë, të cilët i fajësonte për gjithë vuajtjet e kombit gjerman. Anti-semitizmi që e përqafoi kur ishte ende i ri në Vjenë, u bë aq i egër saqë kur shkroi "Mein Kampf" arriti t'i quante hebrenjtë "parazitë", hapi i parë i masakrës së mëvonshme masive e çnjerëzore mbi këtë popull. 

Gjykimi i historianëve, prej dekadash,  është i qartë për librin e Hitlerit. Ata e kanë quajtur atë irracional, të shkruar keq, egocentrik, pa stil, politikisht për faqe të zezë. Libri është i lodhshëm dhe i vështirë në lexim. Stili është i fryrë dhe acarues, argumentet konfuze dhe të tepruara, toni i ashpër dhe histerik. 

Në Gjermani është i ndaluar

"Mein kampf" është një nga librat më të debatuar, komentuar, kritikuar, por dhe më të njohur të shekullit XX-të. Miliona shtëpi para viteve të Luftës së dytë Botërore e kishin në rafte e biblioteka, madje libri jepej si dhuratë në ditëlindje, martesa e diplomime. Mendohet se gjatë atyre viteve janë shitur rreth 10 milion kopje. Pas Luftës së dytë Botërore, askush nuk donte të dëgjonte më për traktatin politik të Hitlerit, por pas disa viteve ai nisi të botohej e ribotohej. Në disa prej këtyre vendeve është i detyrueshëm shoqërimi i librit me parathënie sqaruese, ndërsa në disa të tjera lejohet botimi dhe shpërndarja, por jo përdorimi i tij për qëllime politike dhe propagande. Në Gjermani, vendi ku ideologjia e Hitlerit u përhap masivisht, libri është i ndaluar të botohet. Një institut në Gjermani është duke përgatitur një version shkencor të librit, të pajisur me shënime kritike historike, që tregojnë qartë për burimet e ideologjisë hitleriane dhe në të njëjtën kohë komenton dhe tregon historinë e ndikimit prej tij.