Një shqiptar është vrarë me armë zjarri nga pronari i një banese, në të cilën kishte hyrë për të vjedhur.
Ngjarja ka ndodhur në qytezën Villa Literno në Provincën e Kazertas, rreth orës 3:30 të mëngjesit, kur pronari i shtëpisë ka qëlluar me armë kundër tre hajdutëve duke vrarë njërin prej tyre, i cili pas hetimeve rezultoi se ishte shqiptar.
Ka qenë vajza e pronarit të shtëpisë, e cila po kthehej nga një festë në ato momente, kur ka zbuluar praninë e tre personave në oborr, ndërsa tentonin të grabisnin makinën e babait të saj, i cili është një mekanik italian. Ajo ka telefonuar menjëherë të atin, dhe ai ka qëlluar ndaj shqiptarit, emri i të cilit nuk është bërë ende publik.
Sipas medieve italiane, pas kësaj, të tre hajdutët janë larguar me shpejtësi me një makinë të bardhë BMW dhe pranë spitalit të qytezës, ata kanë braktisur trupin pa jetë të shqiptarit.
Policia ka gjetur pak metra më larg makinën e tyre, së cilës i kishin vënë flakën, ndërsa dy hajdutët e tjerë janë larguar pa lënë gjurmë.





