Kongresi i Meksikës ka miratuar një paketë tarifash të ashpra ndaj importeve nga Kina dhe disa vende të tjera aziatike, duke vendosur taksa që mund të arrijnë deri në 50% që nga viti i ardhshëm.

Vendimi, i marrë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, synon të shtyjë përpara prodhimin vendas dhe të balancojë deficitin tregtar, edhe pse ka hasur kundërshtim të fortë nga grupet e biznesit në vend.

Propozimi, i cili tani pret dritën jeshile nga Senati, parashikon vendosjen ose rritjen e tarifave, shumica deri në 35% , përgjatë gjithë vitit 2026 për një gamë të gjerë produktesh.

Në listë përfshihen makina, pjesë automjetesh, tekstile, veshje, plastikë dhe çelik, të importuara jo vetëm nga Kina, por edhe nga vende të tjera që nuk kanë marrëveshje tregtare me Meksikën, si India, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Indonezia.

Qeveria meksikane argumenton se masat janë të nevojshme për të mbrojtur industrinë e brendshme nga konkurrenca e pabarabartë dhe për të nxitur investimet vendase.

Por sipërmarrësit vendas paralajmërojnë se tarifat e reja mund të rrisin çmimet, të godasin zinxhirët e furnizimit dhe të përkeqësojnë klimën e biznesit.

Vendimi pritet të shkaktojë diskutime të nxehta edhe për marrëdhëniet tregtare në Amerikën e Veriut, veçanërisht në kontekstin e “nearshoring”, ku kompanitë perëndimore po zhvendosin prodhimin më pranë SHBA-së.