Në intervistën e saj të parë pas dy viteve larg mediave, bashkëshortja e Donald Trump, Melania, foli për Fox News me qëllim promovimin e librit të ri të saj.
“Ka ardhur koha që të tregoj historinë dhe të vërtetën time”, tha ajo, duke nisur me kujtimin e takimit të parë të pazakontë me bashkëshortin e saj aktual.
Sipas fjalëve të saj, në kohën kur u njohën, Trump tashmë njihej si një biznesmen i shquar amerikan, gjë që e bënte të vështirë për ta të shkonin në një restorant, kafe apo kinema.
Në vend të kësaj, Trump e çoi në një vend të veçantë ku mund të kishin privatësi. Ata së bashku shkuan për të parë një pronë që Trump synonte të blinte, dhe Melania e përshkroi këtë takim të parë si një përvojë shumë të bukur.
“Pasi ishim vetëm në makinë për rreth një orë ose një orë e gjysmë. Nuk kishte zhurma të tjera, as njerëz të tjerë. Në atë kohë ai tashmë njihej si një person i famshëm, kështu që ishte shumë e këndshme të ishim vetëm ne të dy”, tha Melania, duke shtuar: “Më pëlqente vizioni që ai kishte. Dhe lidhja që kishim. Ishte diçka shumë e veçantë”.