Kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar se është dakord me deklaratën e zv. presidentit amarikan JD Vance se Evropa është pak e humbur. Meloni në intervistë për të përditshmen “Financial Times” tha se Italia nuk duhet të zgjedhë mes SHBA dhe BE, ndërsa komentoi edhe forcën e sigurisë për Ukrainën.

Kryeministrja italiane tha se ishte në interesin e të gjithëve për të kapërcyer tendosjet në marrëdhëniet transatlantike, duke i përshkruar reagimet e disa liderëve europianë ndaj Donald Trump si shumë politike.

Meloni bëri të qartë se nuk e shihte presidentin amerikan si kundërshtar dhe se do të vazhdonte të respektonte aleatin e parë të Italisë. Meloni madje shprehu dakordësinë me qëndrimet e zëvendëspresidentit amerikan Vance për Europën në Konferencën e Mynihut

“Unë jam konservatore. Trump është një lider republikan. Sigurisht që jam më afër tij se me shumë të tjerë, por e kuptoj një lider që mbron interesat e tij kombëtare. Marrëdhëniet tona me SHBA-në janë marrëdhëniet më të rëndësishme që kemi. Italia mund të ketë marrëdhënie të mira me [Shtetet e Bashkuara] dhe nëse ka diçka që Italia gjithashtu mund të bëjë për të shmangur një konfrontim [të SHBA] me Europën dhe për të ndërtuar ura, unë do ta bëj këtë dhe është në interes të evropianëve.

“Më duhet të them se jam dakord. Këtë e kam thënë prej vitesh… Europa e ka humbur pak veten. Kritika e Trump ndaj Evropës nuk kishte për qëllim popullin e saj, por klasën e saj sunduese… dhe idenë se në vend që të lexoni realitetin dhe të gjeni mënyra për t’u dhënë përgjigje njerëzve, ju mund të impononi ideologjinë tuaj mbi njerëzit”, tha Meloni.

Ndërsa Komisioni është zotuar të hakmerret kundër tarifave doganore të Trump, Meloni dëshiron që BE të ruajë qetësinë e saj. Kryeministrja italiane mbetet skeptike në lidhje me propozimin francez dhe britanik për një forcë sigurie europiane për Ukrainën, që sipas saj mund të shihet nga Moska si një provokim.

Në vend të kësaj, ajo mbron shtrirjen e klauzolës së mbrojtjes reciproke të Nenit 5 të NATO-s në Ukrainë pa e pranuar në fakt Kievin në aleancë gjë që ajo pretendon se do të ishte më e lehtë dhe më efektive se propozimet e tjera.

“Ndonjëherë kam përshtypjen se ne thjesht përgjigjemi instinktivisht. Në këto tema ju duhet të thoni, ‘Ruhuni të qetë, djema. Le të mendojmë’. Ne duhet të jemi të kujdesshëm këtu. Kjo mund të shihet më shumë si një kërcënim,” tha Meloni.