Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka deklaruar marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët do të vazhdojë. Pavarësisht vështirësive që ka hasur, ajo thotë se do ta gjejnë një zgjidhje për çdo pengesë.
“Qeveria është e vendosur të çojë përpara protokollin Itali-Shqipëri: ne jemi të vendosur të gjejmë një zgjidhje për çdo pengesë që shfaqet”, tha kryeministrja e Italisë.
“Ne do të ecim përpara “jo vetëm sepse besojmë në protokoll, por edhe sepse pretendojmë të drejtën e politikës për të qeverisur dhe detyrën e politikës për të marrë përgjegjësitë” dhe “për flukset migratore treguesi nga shumica e qytetarëve është shumë i qartë: ata na kërkojnë të ndalojmë imigracionin ilegal që prodhon pasiguri, mungesë integrimi dhe armiku i parë është imigrimi i paligjshëm”, u shpreh Meloni.
Gjatë fjalës së saj, Meloni nënvizoi gjithashtu se “do të jetë e rëndësishme të qartësohen” rregullat për vendet e sigurta dhe se Gjykata Evropiane e Drejtësisë shmang rrezikun e komprometimit të politikave të riatdhesimit jo vetëm të Italisë, por të të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”.
Deklaratat e Melonit u bënë teksa ajo foli në konferencën e prefektëve dhe drejtuesve të policisë italiane mbi udhëzimet për politikat për të luftuar emigracionin e parregullt, në Shkollën e Lartë të Administratës së Brendshme.