Qeveria italiane do të heqë dorë nga zbatimi i marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët, pavarësisht se të hënën, Gjykata e Romës ktheu për të dytën herë azilkërkuesit e sjellë në kampin e Gjadrit me anijen ushtarake italiane Libra, të premten.

Gazeta Italiane “La Stampa” citon Kryeministren Giorgia Meloni, e cila thotë se gjykatësit po përpiqen ta lodhin qeverinë me vendimet e njëpasnjëshme që pengojnë zbatimin e marrëveshjes. Megjithatë, shefja e qeverisë së Romës këmbëngul se do të vazhdojë ta zbatojë atë.

Në të njejtën linjë edhe zv/Kryeministri Mateo Salvini, i cili thotë se qeveria italiane e ka për detyrë të gjejë zgjidhje për të mbrojtur qytetarët italianë dhe do të vazhdojë ta bëjë.

E përditshmja tjetër Corriere della Sera shkruan se qeveria italiane po përgatit mbrojtjen për t’i dërguar vendimet e Gjykatës së Romës për këtë çështje në Gjykatën e Lartë.

Burime pranë qeverisë thonë për këtë të përditshme se një nga argumentet me të cilat po përgatitet mbrojtja është se përdorimi i opinionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë se shtete si Egjipti apo Bangladeshi nuk janë vende të sigurta origjine, nuk mund të merret si referencë për këtë rast.

Sipas qeverisë, ky vendim ka dalë para marrëveshjes në parim të vendeve të Bashkimit Europian për një rregullore që përshpejton procedurat e dëbimit të atyre që nuk meritojnë azil, ndërsa Italia është e para që e ka jetëzuar atë, përmes projektit për qendrat e azilkërkuesve në Shqipëri.

Partia Demokrate në opozitë përshëndeti vendimin e Gjykatës së Romës, duke thënë se gjykatësit bënë vetëm detyrën.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare Italiane të Gjykatësve, Salvatore Kasharo tha se gjykatat në Itali e kanë për detyrë të reagojnë kur konstatojnë shkelje të të drejtave të Bashkimit Europian dhe në funksion të kësaj vendosi edhe Gjykata e Romës.

Për këtë çështje reagoi edhe miliarderi Elon Mask, i cili i doli në mbrojtje qeverisë italiane duke thënë se këta gjykatës duhet të largohen.