Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i bëri thirrje Gjykatës Europiane të Drejtësisë të heqë pengesat e ngritura nga drejtësia italiane për zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët.

“Të bëhet qartësim përfundimtar për çështjen që ka qenë subjekt i masave gjyqësore mbi bazën e shijeve ideologjike, që nëse do të mbështeteshin edhe nga Gjykata Europiane e Drejtësisë do të rrezikonin të dëmtonin edhe politikat e riatdhesimit të të gjitha vendeve anëtare. Kjo një perspektivë shqetësuese dhe e papranueshme që duhet të parandalohet me vendosmëri”, – tha Meloni.

Meloni ka folur për çështjen gjatë fjalës së saj këtë të Martë në parlamentin italian, ku theksoi sërish se marrëveshja me Shqipërinë është zgjidhje inovative dhe është më e mira e mundshme për të shkurajuar dyndjen e emigrantëve nga Afrika drejt Italisë dhe vendeve të tjera europiane.

Gjykatës Europiane të Drejtësisë i është kërkuar nga Gjykata e Romës të japë opinionin nëse është apo jo e vlefshme lista e vendeve të sigurta të origjinës që u miratua nga qeveria italiane në muajin tetor, për t’i hapur rrugë sjelljes në Shqipëri të emigrantëve të cilëve u refuzohet azili në Itali.