Partitë politike të ekstremit të djathtë evropian nisën fushatën e tyre për zgjedhjet e Bashkimit Evropian nga kryeqyteti spanjoll Madrid me mesazhe të forta kundër migrimit të paligjshëm.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, foli në spanjisht përmes video-konferencës duke mbrojtur arritjen e marrëveshjeve me vendet e treta ndër to edhe me Shqipërinë në përpjekje për të frenuar imigracionin e paligjshëm.
“Ne konservatorët europianë jemi motori dhe protagonistët e Rilindjes së kontinentit tonë. Jemi të vendosur për ruajtjen e identitetit kombëtar, sigurinë e qytetarëve dhe forcimin e kufijve. Unë jam në mënyrë të veçantë krenare për punën që kemi bërë muajt e fundit duke e ndryshuar politikën evropiane për emiragracionin. Nuk do të ketë më debate të kota për rishpërndarjen e azilkërkuesve, por një politikë të re bashkëpunimi me shtetet afikane dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për dërgimin e tyre në vende të treta ku do të përpunohen kërkesat e tyre për azil. Kjo zgjidhje dukej e pamundur për disa një vit më parë, por kërkesa ime pragmatiste arriti më në fund të pranohej nga interlekutor të jashtëzakonshëm me ide kreative.”
Sipas sondazheve paraprake, Parlamenti i ardhshëm Evropian që do të dale nga zgjedhjet e Qershorit ka të ngjarë të jetë deri tani më i djathti në përbërje në historinë e re të kontinentit tonë.
Sondazhet u japin këtyre partive konservatore 83 eurodeputetë nga 720 gjithsej në parlamentin e ri evropian.
Meloni ka deklaruar se ajo është e djathtë e qendrës së djathtë, duke krijuar lidhje me bllokun më të madh konservator, Partinë Popullore Evropiane (EPP), duke mbështetur kandidaten e saj kryesore, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.