Durrës, 13 korrik 2014 – Migen Memelli disa ditë më parë u bë zyrtarisht lojtar i Teutës. Mirëpo, ky mund të mos jetë destinacioni përfundimtar për sulmuesin e njohur pogradecar.  Siç bëjnë të ditur krerët e “djemve të detit”, sulmuesi i shumë shëtitur në disa skuadra brenda dhe jashtë Shqipërisë, është nisur drejt Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe. Këtë radhë jo për pushime, por për të biseduar me një klub vendës. Menaxheri i lojtarit është në kontakt me një klub pikërisht në këtë vend, ndërsa ka lajmëruar Memellin për t’i dërguar më tej bisedimet. Sulmuesi do të qëndrojë në Dubai për rreth 4- 5 ditë dhe, nëse palët bien dakord, ai mund të nënshkruajë një kontratë të re, për ta vijuar atje karrierën e tij. Por, në rast se gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet, atëherë sulmuesi do të rikthehet sërish te Teuta në Austri, për të vijuar normalisht fazën përgatitore bashkë me pjesën tjetër të grupit. Kujtojmë që më herët sulmuesi pogradecar Migen Memelli ka luajtur për të tjera skuadra në shtetet arabe. Kështu, në sezonin 2010-2011 dhe në gjysmën e parë të sezonit 2013-2014, ai është aktivizuar me jordanezët e Al-Faisaly. Ndërsa në sezonin 2011-2012 pogradecari ka qenë pjesë e skuadrës nga Arabia Saudite, Al-Taawon.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/