Memorandumi i Parisit (një mekanizëm që kryen inspektimet mbi standardet e anijeve në Evropë) e ka renditur Shqipërinë në vendin e fundit, duke e kategorizuar atë me rrezik të lartë për operatorët ndërkombëtarë dhe i rikthen vendit tonë “flamurin e zi” pas 11 viteve. Në 2010 Shqipëria doli nga lista e zezë dhe anijet me flamur shqiptar ishin më pak të monituruara në portet evropiane.
Pasi u miratua renditjen sipas performancës për flamujt e 70 vendeve që Memorandumi i Parisit ka në monitorim, Shqipëria u rendit në vendin e 70 në fund të listës së zezë, duke u krahasuar vetëm me disa vende afrikane. Renditja në listë është bazuar në numrin e përgjithshëm të inspektimeve gjatë një periudhe 3-vjeçare (2018-2020).
Përgjatë kësaj periudhe në anijet shqiptare u kryen 74 inspektime dhe 17 prej tyre dolën me probleme. Ky është një lajm i keq për sektorin e turizmit, pasi vetëm një vit më parë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, prezantoi projekligjin e propozuar nga qeveria për të falur TVSH-në për ata që impotojnë jahte në vend. Në atë kohë Klosi tha se kjo do të sillte reklamë për Shqipërinë, pasi jahtet do mbajnë flamurin shqiptar.
“Në kushtet e konkurrencës në rajon dhe BE, është e pamundur drejtpërsëdrejt dhe duhet të përfitojmë që t’i japim një numri të konsiderueshëm jahtesh flamurin shqiptar. E ka bërë Malta regjistrim të jahteve pa TVSH me rimbursim, pra me flamur maltez”, u shpreh Klosi, më 14 prill 2020.
Vendimi i marrë nga Memorandumi i Parisit është komentuar si një lajm i keq për vendin tonë nga ish-kapiteni i Përgjithshëm i Porteve të Shqipërisë, Osman Metalla.
Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, e ka cilësuar rikthimin e “flamurit të zi” si një lajm aspak të mirë dhe jo vetëm për imazhin e flamurit, por dhe për vetë detarët shqiptarë.
“Një lajm aspak i mirë jo vetëm për imazhin e Flamurit, por dhe për vetë detarët Shqiptarë, duke bërë që Flamuri Shqiptar në Portet Evropiane të konsiderohet si High Risk – me rrezikshmëri të lartë nga pikëpamja e standarteve, dhe njëkohësisht me koeficientin më të lartë të Excess Factor!”,- shkruan Metalla.
Çfarë është Memorandumi i Parisit?
Memorandumi i Parisit ushtron një regjim inspektimi për anijet e regjistruara në porte, përveç atyre me atyre që i përkasin vendit ku është porti, me qëllim që të merren masa kundër anijeve që nuk janë në përputhje me rregullat dhe sigurinë. Inspektorët quhen oficerë dhe u kërkohet të hetojnë pajtueshmërinë me kërkesat e konventave ndërkombëtare. Inspektimet përfshijnë kontrollimin e anijes dhe personelit nëse janë me ligjet ndërkombëtare në fuqi, aftësitë e drejtuesve dhe pajisjet e anijes.
Në vitin 1978, një numër vendesh evropiane ranë dakord në Hagë për një memorandum për auditimin e kushteve të punës në bordin e anijeve nëse ato ishin në përputhje me rregullat ndërkombëtare.
“Lista e Bardhë” përfaqëson anije me flamuj cilësorë me performancë të lartë. Flamujt me një performancë mesatare tregohen në “Listën Gri”, që mund të shërbejë si një nxitje për t`u përmirësuar dhe kaluar në “Listën e Bardhë”. Në të njëjtën kohë flamujt në skajin e poshtëm të “Listës Gri” duhet të jenë të kujdesshëm duke mos lënë pas dore kontrollin mbi të anijet e tyre sepse rrezikojnë të përfundojnë në “Listën e Zezë” vitin e ardhshëm.
Nga 1 korriku 2021 listat e re e performancës së anijeve do të përdoret për llogaritjen e Profilin të Rrezikut të Anijeve (Ship Risk Profile).





