Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen trepalëshe që u nënshkrua pak ditë më parë në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë e cila së fundmi është cilësuar si provokim nga Serbia. Ministri Maqedonci u shpreh se kjo marrëveshje nuk ka për synim të kërcënojë asnjë shtet, por është një mesazh për stabilitetin dhe paqen në rajon.
“Ne nuk synojmë të kërcënojmë askënd, as në Ballkanin Perëndimor, as kudo tjetër. Deshirojmë të dërgojmë mesazh për stabilitet dhe siguri, por edhe mesazh për të gjithë ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor, territorin dhe jetën e qytetarëve të vendeve tona,” tha Maqedonci.
Ai theksoi edhe rolin e Shqipërisë dhe Kroacisë në mbështetjen e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike. Sipas tij në dokument theksohet qartë angazhimi i Shqipërisë dhe Kroacisë për të mbështetur Kosovën në integrimin e strukturave euroatlantike, që do të thotë se këto dy vende të NATO-s mbështesin Kosovën drejt anëtarësimit në NATO. Ministri theksoi se Kosova si Republikë e Re, do të angazhohet të mbështesë Kroacinë dhe Shqipërinë aty ku mundet.
Maqedonci gjithashtu foli për ndikimin e luftës Rusi-Ukrainë, duke theksuar se ky ka ndryshuar tërësisht ambientin global të sigurisë. Ai theksoi se balancat mes fuqive botërore janë prishur dhe aspekti i mosprekjes së kufijve është vënë në rrezik.
“Invazioni rus në Ukrainë ka alarmuar vendet e NATO-s dhe vendet demokratike, të cilat mund të jenë të cenueshme nga vendet autokratike, dhe po merren masa në lidhje me çështjet e mbrojtjes. Për një kohë të gjatë, Evropa ka hezituar të investojë në sistemet e mbrojtjes, dhe tani kërkesa e re e administratës për investime më të shumta në mbrojtje nga vendet e BE-së ka ndezur alarmin dhe i ka bërë më të vëmendshëm vendet evropiane,” përfundoi ai.
Memorandumi u nënshkrua më datë 18 mars ka për qëllim, promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike, ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se për një kohë të shkurtër kanë arritur të bëjnë shumë gjëra për tre shtetet. Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.