Memoria kolektive e Durrësit e ruajtur dhe e sjellë në vëmendje përmes fotove të arkivave familjare. Kush më mirë sesa një foto e shkrepur vite më parë, mund të na sjellë në vëmendje persona, ngjarje apo histori, që ne i mbartim gjithnjë me vete…

“Arsyeja pse i kam sjellë këto foto këtu sot është sepse im vëlla që ndodhet në këto foto nuk jeton më. Unë Torrën Veneciane, pjesën e gurëve ku uleshim dhe lulet aty i mbaj mend me shumë nostalgji sepse rrinim së bashku aty”,– tregoi Livia Kreko para të pranishmëve.

Në Workshop-in e organizuar në MuzehLab, studiuesi Oltsen Gripshi e vuri theksin në atë, që ai e cilësoi metamorfozë që ka pësuar qyteti.

“Sa mirë që jemi sot këtu nëpërmjet këtij projekti të njihemi dhe të nxjerrim në pah kujtimet që ne kemi nga ky qytet, i cili pas viteve ’90 ka pësuar një metamorfozë të frikshme, sepse nuk është më ai qyteti që kemi njohur dhe prekur në fëmijërinë tonë, por as ai i viteve 2000, por as ai i viteve 2020. Pra ky qytet është ende në zhvillim e sipër”.

Për themeluesen e MuzehLab, Dorina Xheraj dhe shkrimtarin Agron Çalliku, transformimi i qytetit në 30 vitet e fundit ka dëmtuar jo pak memorien kolektive të qytetarëve.

“Qyteti ai ishte, ne shkonim dhe fotografoheshim tek shatërvani, apo aty ku sot po rikonstruktohet Torra Veneciane, mozaikët dhe gurët aty. Kjo fizionomi e humbur e qytetit sjell me vete kujtesën, fëmijërinë, sjell me vete marrëdhënien që ka qytetari me atë që ka qenë dikur dhe që sot është transformuar”,- tha Xheraj.

“Çfarë mund të bëjmë, të ngrejmë zërin tonë me arsye e revoltëpër të ndalur dorën shkatërruese ndaj trashëgimisë, që po shuhet dhe nuk e gjejmë më. Shatërvani u hoq dhe u hodh diku, po të paktën nuk është shkërmoqur, por sa vlera të tjera muzeale janë varrosur e janë hedhur në det”,– tha ndër të tjera Çalliku.

Më 18 prill, Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, kujtesa kolektive e qytetarëve të Durrësit që do të mblidhet përmes këtij workshop-i do të memorizohet në Ekspozitën e Historive të pathëna.

M.B.