Banorët e pallatit të shembur në lagjen nr.6 në Durrës, në ish-lokalin Barons kanë protestuar sot para bashkisë.
Ata kërkojnë që godina e shembur për shkak të dëmeve të shkaktuara prej tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës, të rindërtohet në vendin ku ishte më parë.
Për banorët e pallatit nr. 1032, kjo është një vjedhje e hapur e pronës së tyre, të cilën shprehen se do ta mbrojnë me çdo kusht dhe nëse nuk zgjidhet kjo problematikë, çështjen do e çojnë deri në gjyq.
Ata kundërshtojnë vendimin e Bashkisë për të ndërtuar në sheshin e liruar nga shembja e pallatit një memorial për viktimat e tërmetit.
“Ne kërkojmë rindërtimin e pallatit në të njëjtin truall, ashtu siç është vendosur për çdo pallat tjetër në Durrës. Është në të drejtën tonë që edhe pallati jonë të ndërtohet aty ku ishte përderisa Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka dalë me një vendim që pallati tek ish-Baronsi do të ndërtohet në të njëjtin truall. Ne jemi shumë të indinjuar sese këtë vendim e ka ndryshuar vetëm kryetarja e bashkisë.”
“Ne kemi një vit të tërë që i çojmë letra kryeministrit, ministrit të Rindërtimit, zonjës së bashkisë. Na ka pritur në mënyrën më absurde që mund të presë një kryebashkiake. Ndihemi shumë të lënë pas dore nga qeveria. Kjo është një vjedhje e hapur e pronës tonë. Ne i kemi shtëpitë me certifikata. S’ia kemi marrë askujt! Nuk ka asnjë lloj arsyeje që pallati të mos ndërtohet aty.”
“Problemi qëndron që bashkia ka nxjerrë një vendim për ta bërë memorial, është e padrejtë. Atë vend do ta mbrojmë me të gjitha kushtete se është prona jonë.”
Banoret ngrejnë dyshimet se në atë vend kërkojnë të bëjnë ndërtime njerëz me pushtet dhe influencë politike.
“Ne dyshojmë se këta duan ta marrin për vete. Është në mes të Durrësit”, thotë qytetari.





