Për realizimin e memorialit  në kujtim të viktimave të anijeve austrohungareze kanë punuar për dy vjet dy mjeshtra të skulpturës shqiptare. Memoriali u realizua nga skulptorët Prof. Dr. Sadik Spahija dhe profesor Ergys Krisiko të cilët e krijuan atë për të kujtuar paqen.

Profesor Sadik Spahija u kontaktua nga bashkia e Durrësit dy vjet më parë për të arritur një koncept i cili do të ishte i pëlqyeshëm nga të gjithë edhe nga autoritet vendore edhe ambasadorët përfaqësues. Realizimi i memorialit u pranua pas disa varianteve  të ndryshme.

Materialet që janë përdorur janë marrë nga anije të mbytura në det, ndërsa dominuese janë valët e detit, për të krijuar pikërisht tragjedinë njerëzore e cila përkujtohet përmes paqes.

Tani qytetarët durrsakë që i drejtohen amfiteatrit por edhe mureve të kalasë, kanë mundësinë që të vizitojnë edhe këtë memorial i cili gjendet pranë Torrës Veneciane.

Sa shumë persona gjetën varrin në fund të detit natën e mbytjes nuk do të sqarohet dot kurrë. Çdo viktimë e tragjedisë së mbytjes së "Linz"-it në 19 mars 1918, e cila ka banesën e fundit në detin Adriatik, ishte një viktimë më shumë.

Ky memorial ku shkruhet në tre gjuhë, shqip, gjermanisht dhe në gjuhën hungareze, kujton pikërisht tragjeditë detare të asaj kohe.

K.H.