Ndonëse sistemi i self-care filloi të bëhej funksional për bizneset, sërish subjektet raportojnë probleme.
Po çfarë po ndodh me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)?
Ishte kjo tema e diskutimit në emisionin “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama.
Për analistin dhe gazetarin Mentor Kikia skandali i lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është afera më e madhe që ka goditur Shqipërinë në të gjithë historinë e saj 35-vjeçare post-komuniste.
Sipas tij kjo çështje tejkalon përmasat e një skandali të thjeshtë korruptiv, duke shpalosur pasoja të thella në të paktën pesë dimensione që prekin themelet e shtetit, sigurinë kombëtare dhe jetën e çdo qytetari.
“Unë ndaj të njëjtin mendim me Denisin, nëse më lejon të drejtohem kështu. Për përshkrimin e historisë tashmë të AKSHI-t si skandali më i madh që ka prekur jo thjesht qeverinë e socialistëve në katër mandate të tyre, edhe pse ky është viti i parë i mandatit të katërt, por besoj në të gjithë historinë 35-vjeçare post-komuniste.
Sepse afera e AKSHI-t, nëse do t’i vëmë një emër të tillë tani për arsye komunikimi, nuk ka një apo dy pasoja. Nëse po flas, ka një histori, një aferë korruptive, u bë tenderi për ndërtimin e një shkolle. Dy pasoja e ka: Ajo financiare, sepse ai që merr paratë paguan një ryshfet, dhe pasoja tjetër që për shkak se ndau paratë, do kryejë punime me cilësi të dobët me paratë që i ngelën.
Historia e AKSHI-t, unë për vete kam identifikuar pesë dimensione dhe pesë pasoja që përbëjnë të gjithë aferën. Është tenderat. Pra, dimensioni korruptiv.
Ai që është në të gjitha historitë e tjera. Krijohet një grup kompanish të privilegjuara me të cilat ndahen fondet dhe me të cilat bëhen edhe pazaret. Një histori klasike e korrupsionit. Për herë të parë, në aferën e AKSHI-t kemi konfirmimin e bashkëpunimit të shtetit me krimin.
Akuzat e opozitës që historia e koordinatorit të qeverisë me organizatat kriminale, të cilën e kishim konsideruar si një legjendë urbane, konfirmimi i saj me zë dhe figurë ishte shokues.
E treta, renditjen i kam jo për nga përmasat, por për nga rëndësia, sepse të gjitha njësoj të rënda. Pasoja që po vuajmë tani, mungesa e shfrytëzimit dhe përdorimit të shtetit digjital. Pasi në kushtet kur mania për të digjitalizuar gjithçka përtej mundësisë dhe kapaciteteve tona absorbuese, çoi në këto realitete. Dhe është njësoj si ai që për t’u dukur i elektronizuar në shtëpi, apo i automatizuar, bën një portë automatike dhe nuk le derë tjetër që ta hapi me dorë. Dhe në momentin kur s’ka drita, ngelet jashtë. Ne na është mbyllur kjo dera automatike, në këtë rast, dhe njerëzit nuk dinë nga të futen në kohë që çdo lloj dokumenti dhe çdo lloj e dhëne është brenda këtyre kompjuterave. Çështja e sigurisë kombëtare. Ndërsa një aferë diku tjetër nuk prek këtë, por thjesht mbush xhepat e dikujt dhe krijon ca pasoja të tjera, nga ato që thamë.
Këtu çështja e sigurisë kombëtare preket drejtpërdrejt, sepse bëhet fjalë për të dhënat. Kuptojmë, kujtojmë që jo në këto përmasa, kur sistemi u hakerua, se tani nuk po dimë a e hakeruan vërtetë iranianët sepse po na përmbysen të gjitha…”, u shpreh ndër të tjera Mentor Kikia.





