Një grua amerikane ka ndarë në Tik Tok historinë e saj familjare që përfundoi në ndarje pasi zbuloi se burri kishte një tjetër grua me të cilën kishte edhe dy fëmijë.

Rrëfimi është bërë viral në rrjetin e ri social ku gruaja, nënë e katër fëmijëve, përmes një videoje që është parë nga qindra mijë njerëz, tregon peripecitë e zbulimit tronditës, raporton The Sun.

“Isha në zyrë dhe nuk e di se si më doli në kompjuter një njoftim i gëzueshëm për lindjen e një fëmije. Shtanga kur pashë se gruaja që e kishte postuar, shprehte lumturinë për ardhjen në jetë të bebes, me… bashkëshortin tim.

Në moment e humba dhe nisa të lexoj edhe më shumë. Pashë edhe spitalin ku kishte ardhur në jetë vogëlushi dhe u interesova edhe atje. Mësova qartë se burri im kishte një grua të dytë, paralele, me të cilën kishte dhe një vajzë, 2 vjeçe.

Pësova shok dhe prita që im shoq të kthehej nga udhëtimi i punës. Kur erdhi ia plasa të gjitha. Ai pranoi çdo gjë, por kjo vulosi fatin tonë me ndarje.

Tani jam vetëm, por jetoj me katër fëmijët e mi, sepse burri zgjodhi të jetonte me gruan tjetër dhe dy fëmijët e tyre”, pohoi gruaja.

Rrëfimi u shoqërua me solidarizimin e ndjekësve, të cilët nisën të ndajnë edhe ata histori të ngjashme të jetuara prej tyre në vite.