*Droga në Kallm, Bisht Pallë dhe porti i jahteve në Durrës, trafikantët në kërkim të rrugëve të reja, pas shtrëngatës që ulin traun e doganës…

Prej gati tri javësh ndoshta edhe pak më shumë, kohë kur nisi “shtrëngata” në portin e Durrësit , pas kapjes së 10 tonëve drogë në portet italiane, trafikantët janë duke gjetur rrugë e mënyra të reja për të trafikuar drogën e prodhuar në Shqipëri.

Për të kaluar traun e doganës së Durrësit kamionët e kanë pothuajse të pamundur, në një situatë kur doganierë e policë janë në panik. Të frikësuar sepse kalimi i kamionëve me drogë nga Shqipëria në Itali, përkthehet në “burg” dhe “arrestim” për ta, masat shtrënguese kanë arritur deri në atë pikë, sa kamionët i nënshtrohen të gjithë pa asnjë përjashtim kalimit të tyre në skaner dhe në kontroll fizik nga ana e inspektorëve të policisë.

Përballë kësaj situate kur bizneset e ndershme shprehin shqetësim për vonesat e krijuara dhe procedurat rënduese, dhe nuk ka asnjë fije tolerancë nga ana e shtetarëve, trafikantët po përdorin rrugët e tjera ilegale.

Para pak ditësh brenda në det, një thes u gjet në zonën e Kallmit me 20 kg kanabis, ndërsa një ditë më parë në Bisht Pallë në zonën veriore të Durrësit u gjet një sasi tjetër prej rreth 120 kg kanabis sativa në zonën bregdetare.

Sipas burimeve, trafikantët kanë nisur që me gomone, skafe apo edhe mjete të tjera lundruese trafikun e drogës nga zonat e Durrësit drejt Italisë, zona këto që mbeten jashtë vëmendjes së banorëve dhe të strukturave të shtetit, për shkak të pozicionit të tyre gjeografik dhe të mungesës së banorëve në to.

Zonat periferike të Vlorës nga Karaburuni e më tej, u shfrytëzuan gjerësisht nga trafikantët me skafe të shpejta, por këto zona duket se janë nën mbikëqyrje të policisë, e në kushte të tilla trafiku është zhvendosur nga Durrësi në zonën e Kallmit dhe në atë të Bisht Pallës.

Në Durrës trafikantët janë edhe më shumë të favorizuar sepse këtu gjendet një port  jahtesh, i cili është pothuajse pa mbikëqyrje fare nga autoritetet portuale dhe ato të policisë. Porti i jahteve u ndërtua për port peshkimi, dhe prej më shumë se dy vjetësh nuk është marrë në përdorim nga autoritetet portale, dhe në një situatë të tillë, aty mjetet luksoze të shpejta apo jo, kanë një bazë qëndrimi.  Inspektorëve të policisë kufitare të Durrësit duhet t’u shkojë në mendje, që jo larg prej “hundës” së tyre vetëm 500 metra nga godina ku qëndrojnë hyjnë e dalin mjetet luksoze.

Pak ditë më parë u largua nga detyra ish-drejtori i policisë vendore Perlat Çullaj, dhe më pas ish-shef i policisë kufitare Boge Bodini. Në vend të tyre janë emëruar drejtues me eksperiencë në drejtim.

A do të mund ta parandalojë këtë fenomen, policia kufitare? Të na thotë se si droga përfundoi në det? Topi është në derën e drejtoreshës së re dhe shenjat nuk janë të mira në këto ditë të para të marrjes së detyrës prej saj, kjo sepse asnjë herë më parë nuk kish ndodhur që sasi kanabisi të gjendeshin në bregdetin e Durrësit, ku ose trafikantët prisnin të  bëjnë ngarkesën, ose ngarkesa ka qenë aq e madhe sa këto sasi i kanë lënë në breg për të mos rrezikuar mbytjen e mjeteve.