Dihet se Mercedes është një nga markat e makinave më të preferuara në botë. Por këtë herë objektiv i kompanisë gjigande ka qenë transporti publik. Mercedes ka shfaqur edhe “Autobusin e së Ardhmes”, për të cilin shprehet se do të jetë “Transporti publik në të ardhmen.”

Duke qenë se lista e makinave me pilot automatikë është duke u rritur ndjeshëm, bashkë me kompanitë të cilat po prodhojnë makina, avionë e mjete ushtarake që nuk kanë nevojë për shofer edhe kjo shpikje e Mercedes-it është automatike.

Deri më tani ky autobus është testuar për 20 kilometra në rrugët e Amsterdamit dhe nuk ka pasur asnjë problem edhe pse është shoqëruar me një shofer i cili do të vepronte në raste emergjence.

Autobusi përdor teknologjinë e “Daimler's City Pilot” dhe përfshin 10 kamera me sistem radari me rreze të shkurtër dhe të gjatë, me anë të të cilave ndihmon autobusin që të gjejë veten në pozicionin e rrugës.