Zhgënjimi në garën e parë sezonale të Formula 1 të zhvilluar një javë më parë në Australi duket se e ka një shkak. Përveç strategjisë së gabuar, që futi në bokse Lewis Hamilton për të ndërruar gomat më shpejt se sa duhet, problem është edhe pesha më e madhe që ka makina gjermane krahasuar me rivalët. Kjo nuk lejoi britanikun të ishte i shpejtë në pistë, duke e mbyllur garën 10 sekonda pas Vettel, ndërkohë që një vit më parë ndodhte e kundërta. Sipas mediave britanike, makina Mercedes peshon 5kg më shumë se sa pesha limit 728kg e lejuar nga rregullorja.
Kjo mbipeshë duket se ka ulur shpejtësinë e makinës gjermane, ndërkohë që të gjitha skuadrat synojnë të jenë sa më të lehta për të qenë më të shpejta. Shefi i Mercedes, Toto Wolff, ka konfirmuar këtë hipotezë, duke thënë. “Nuk dua të hyj në detaje, por çështja e peshës më të madhe se sa norma e lejuar është një problem që do ta zgjidhim shumë shpejt dhe ku po punojmë. Makina ka ndryshuar shumë krahasuar me vjet dhe ende nuk e kemi adaptuar ashtu si duhet makinën e re. Këtu ndikon edhe pesha, ndaj po bëjmë disa modifikime për garën e ardhshme, për të qenë më të shpejtë në pistë dhe fituar terren karshi rivalëve”, u shpreh Toto Wolff.