SHBA- Mërgim Bajraliu, vëllai i 9-vjeçares shqiptare që i shpëtoi mrekullisht sulmit të para disa javëve në një shkollë fillore në SHBA, rrëfen se e motra akoma nuk po arrin të flejë siç duhet. Edhe pse kanë kaluar dy javë pas masakrës në Konektikat, vëmendja e gjithë botës vazhdon të jetë e madhe. Adam Lanza, një djalë i sëmurë, qëlloi mbi fëmijët e shkollës fillore "Sandy Hook" mbi 100 plumba. Për pasojë, mbetën të vrarë 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur.

Midis tyre ishte dhe Venesa, një vajzë shqiptare me origjinë nga Prishtina, por e lindur në Amerikë. Ajo pati fatin, si shumë fëmijë të tjerë, që, duke u fshehur, të mund t'u shpëtonte plumbave të killerit psikopat. Sot Venesa Bajraliu është mirë më shëndet, por psikologjikisht, vajza, si dhe bashkëmoshatarët e saj që përjetuan ngjarjen e tmerrshme, vazhdon të ketë probleme. 
 

INTERVISTA 
Mërgim, si është motra me shëndet? 

Fizikisht është mirë. Akoma nuk arrin të flejë gjatë natës, po në përgjithësi mirë është. 
 

Keni kontaktuar me ndonjë psikolog që mund ta ndihmojë?

Jemi munduar që e gjithë familja t'i qëndrojmë sa më afër. Po ashtu, prindërit kanë kontaktuar edhe me një psikolog. Të shohim tani si do shkojë. Normalisht që ajo është trembur shumë dhe dihej që nuk do të mund ta harronte kaq lehtë atë që ndodhi. Megjithatë po e merr veten dita-ditës. 
 

Në shkollë kur do ktheheni? Çfarë ju kanë thënë?

Unë jam kthyer shkollë ka ca ditë, kurse Venesa dhe klasa e saj nuk janë kthyer ende. U kanë thënë që të vazhdojnë të rrinë në shtëpi deri në janar. 

Nxënësit, do kthehen të studiojnë tek e njëjta shkollë?

Jo, do t'i transferojnë diku tjetër. Akoma nuk e di me saktësi se ku do t'i çojnë për të studiuar, por jo në "Sandy Hook". Me sa kam dëgjuar, të paktën për këtë vit "Sandy Hook" do të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur. Ndoshta mund të rihapet për vitet që vijnë, por kjo nuk është e sigurtë ende. 
 

Po në Njutaun si është situata?

Çdo ditë i kujtojmë fëmijët dhe të tjerët që humbën jetën. Çdo ditë ndezim qirinj dhe lutemi për ta. Vijnë edhe shumë njerëz nga larg që nuk i njohin fare, për t'u lutur apo për të sjellë lule. Me shkollën kemi organizuar aktivitete në nder të viktimave. Akoma njerëzit nuk e kanë marrë veten nga ajo që ndodhi. Ishte e rëndë dhe mendojmë se do të vazhdojmë t'i kujtojmë gjatë.