Bashkë me ditët e nxehta rritet edhe rreziku i pickimit nga merimanga e zezë, apo siç njihet ndryshe “vejusha e zezë” një nga merimangat më helmuese që gjenden në vendin tonë

Në urgjencën e spitalit të Beratit kohët e fundit ka pasur raste të cilët janë paraqit me pickime nga ky insekt, ndërsa mjekët apelojnë për kujdes të shtuar te fermerët që e ndeshin vejushën e zezë teksa punojnë tokën.

“Shumica e insekteve apo merimangave janë jo helmuese përveç kësaj merimange që është helmuese dhe jep shume efekte në organizëm. Jep dhimbje të fuqishme të gjithë muskujve dhe gjymtyrëve, jep enjtje ose skuqje lokale te vendi i pickimit i cili mund të transmetohet lart”– tha mjekja Elena Kanaci.

Për pickimin nga merimanga në vendin tonë nuk ekziston një antidozë specifike që të jetë përcaktuar për t’u përdorur.

“Ka një rrezikshmëri shumë të lartë por nuk është se ka një antidozë specifike. Ne nuk e kemi ekzistent në spitalin tone por bëjmë trajtim të simptomave“- tha mjekja Elena Kanaci.

Kanaci jep edhe këshilla dhe për ata që mund të bien pre e pickimeve nga zvarraniket.

“Zvarranikët në vendin tonë shumica nuk janë helmues rreth 95% e tyre ndërsa nëperkat janë helmuese por për këto kemi vaksinën specifike” – tha mjekja Elena Kanaci. /TCH