Miqësorja me Marokun ishte testi i parë pas ëndrrës së përjetuar në europian, një sfidë që vlejti shumë për trajnerin Giani De Biasi pikërisht në ditën e fundit të merkatos së verës. Vihet re që sezoni i ri për kuqezinjtë do të nisë me ndryshime të shumta, pasi janë disa futbollistë të cilët kanë preferuar të ndryshojnë ambient. Objektivi i vetëm në këto lëvizje nuk duket të jetë përfitimi financiar por dëshira për tu aktivizuar sa më shumë në klubet respektive dhe për të qënë të gatshëm edhe për përfaqësuesen. Në ditën e fundit të lëvizjeve të futbollistëve është mësuar destinacioni i ri për portierin Etrit Berisha, që ka lënë Lacion për tiu bashkuar Atalantës, aty ku mundësitë e aktivizimit si titullar janë të mëdha, edhe pse duhet fituar më parë konkurenca me portierin aktual Sportiello. Po në Itali ai që ka ndryshuar ambient në ditën e fundit të merkatos është Berat Gjimshiti që ka lënë pikërisht zikaltërit e Bergamos për tu transferuar në serinë B tek Avellino, aty ku pritet të ketë më shumë hapësirë në dispozicion. Mërgim Mavraj ishte një nga objektivat në merkato të disa prej klubeve të mëdha, si p.sh. Sampdoira por kapiteni i ri i kuqezinjve qëndroi në Këln aty ku është titulalr i padiskutueshëm dhe vlerësohet si një lider i skuadrës së Bundesligës. Elseid Hysaj vlerësohet maksimalisht në Napoli dhe për të është gati kontrata e re, me përmirësim të ndjeshëm të kushteve financiare por edhe një klauzolë të cmendur në merkato. Pas europianit lëvizje të tjera pozitive kanë ndodhur në gjirin e kuqezinjve pasi Migjen Basha është bashkuar me Barin ku ka nisur si titullar kampionatin. Emir Lenjani është rikthyer tek Rene pas një viti huazimi tek Nante, Ergys Kace ka lënë Paokun për Viktoria Plzen, Frederik Veseli hodhi hapin e madh duke kaluar në Serinë A tek Empoli, Bekim Balaj dhe Odise Roshi kaluan nga kroacia në kampionatin rus tek Terek Grozny, ndersa Rei Manaj la Interin për të gjetur më shumë minuta tek Pescara. Ndërkohë një formë të mirë tek skuadrat e tyre po kalojnë  Jahmir Hyka, Amir Abrashi, Shkëlzen Gashi, Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku. Shumë lëvizje kuqezi në këtë merkato vere, por që të gjitha për një objektiv, sa më shumë minuta në dispozicion të lojtarëve cka më pas detyrimisht do të jetë një bonus i madh edhe për kombëtaren shqiptare.