Hapja e merkatos së janarit evidentoi edhe rritjen e vlerës së lojtarëve shqiptarë, që militojnë në Serinë A italiane. Futbollisti më i spikatur dhe më i shtrenjtë mbetet Elseid Hysaj i Napolit, vlera aktuale e të cilit përllogaritet në 9 milionë Euro.
Në fillim të sezonit, më 1 Qershor kur ishte ende lojtar i Empolit dhe pa u transferuar të Napoli, shkodrani kushtonte 4.5 milionë Euro. Me kalimin në San Paolo, prej tre muajve të parë të aventurës, ku u shndërrua në një titullar fiks të skuadrës, vlera e kuqeziut u rrit në shifrën 7,5 milionë Euro.
Pas gjysmës së parë të edicionit dhe me hapjen e merkatos së janarit, çmimi i Hysajt është rivlerësuar, duke u dyfishuar dhe tashmë mbrojtësi kuqezi kushton plot 9 milionë euro. Në afatin e transferimeve të dimrit, është rritur edhe vlera e portierit të Lazios, Etrit Berisha, që aktualisht përllogaritet në 4 milionë Euro.
Në startin e këtij sezoni portieri kuqezi kushtonte 3 milionë Euro, por me paraqitjet e zhvilluara në gjysmën e parë të sezonit, mes Serisë A dhe Europa League vlera e tij është rritur me një milion Euro. Talenti kuqezi i Interit, Rey Manaj aktualisht kushton 800 mijë euro.
Sulmuesi është përfshirë mes talentëve të rinj më të shtrenjtë të Serisë A, edhe pse qendron jashtë Top 20-ës në klasifikimit special, përkrah mbrojtësit qendror të Fiorentinës, Diakhate dhe mbrojtësit të djathtë të Milanit, Calabria.Në Qershor 2015, kur u transferua nga Cremonese të Interi, vlera e Manajt në merkato ishte 175 mijë Euro. Pak muaj pasi u bashkua me Interin, vlera e Manajt thuajse u 5-fishua dhe lojtari tashmë kushton 800 mijë Euro.