Te Teuta janë hedhur piketat e sezonit të ri, me pjesën dërrmuese të lojtarëve që do të qëndrojnë dhe me disa përforcime që do të bëhen. Nuk do të ketë shumë ndryshime nga grupi i sezonit të fundit. Janë larguar Qaqi, Fili dhe Faust, ndërsa për afrimet s’ka ende emra konkretë. Drejtuesit e klubit synojnë të ndërtojnë një skuadër kompetitive, që të jetë në gjendje të pretendojë për një vend në kupat e Europës. Te Teuta janë disa lojtarë, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe presin të diskutojnë me presidentin për të mësuar të ardhmen.
Burime nga skuadra durrsake bëjnë me dije se ndonjëri prej tyre mund të largohet, por baza e grupit do të jetë pak a shumë e njëjtë. Vëmendje të madhe aktualisht ka marrë merkatoja, konkretisht elementët që do t’i bashkohen skuadrës gjatë verës. Pritet që fanellën e Teutës ta veshin lojtarë me eksperiencë, që do t’i ndihmonin durrsakët për një sezon më të mirë se ai i kaluari. Trajneri Edi Martini këtë herë ka mundësinë ta ndërtojë vetë ekipin.Kujtojmë që me të në krye Teuta bëri një pjesë të dytë të sezonit shumë të mirë, madje deri në javën e fundit ishte pretendente për Europën. Me përforcimet që priten, trajneri shkodran do ta ketë më të lehtë.