Durrës, 30 korrik 2014 – Teuta ka filluar seancat stërvitore në stadiumin Niko Dovana të Durrësit. Në stërvitjen e parë të durrsakëve grupi ishte thuajse i plotë pasi pritet të bashkohet me të edhe Erand Hoxha që ka ardhur nga Besa ndërkohë që është rikthyer tashmë edhe Migen Memelli. Në stërvitjen e parë Hodo dhe Dita kanë qenë dy mesfushorët që nuk kanë bërë stërvitje me grupin për arsye të një dëmtimi të lehtë por që pas disa ditë stërvitje individuale edhe ata do ti bashkohen pjesës tjetër.
Ndërkaq merkato nuk është mbyllur ende pasi së shpejti priten dy lojtarë cilësorë një mbrojtës i majtë dhe një mesfushor sulmues që mendohet se do të vijnë javën e ardhshme. Përgjatë fazës përgatitore të zhvilluar në Austri, trajneri Hasan Lika ka studiuar me kujdes aftësitë dhe formën e çdo futbollisti që ka në skuadër dhe tashmë puna e numrit një të pankinës durrsake do të fokusohet te ndërtimi i skuadrës.
Deri në startin e sezonit të ri, Lika do të ketë në dispozicion disa takime miqësore me skuadra të ndryshme të kampionatit shqiptar, për të ndërtuar ekipin ideal me të cilin do të prezantohet në edicionin e ri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





