Teuta vazhdon me pikasjen e lojtarëve që Diego Longo kërkon t’i ketë nën urdhrat e tij për sezonin e ardhshëm. Pas zyrtarizimit të trajnerit të ri, Teuta tashmë fokusin e ka kthyer te merkatoja, si në hyrje ashtu dhe në dalje. Merkatoja e Teutës, në vendnumëro. Në Durrës mungojnë afrimet. Drejtuesit janë duke punuar që, deri në fund të merkatos, të “godasin”.
Mund edhe të shpresohet te ndonjë “okazion” që mund të vijë nga Kategoria Superiore, duke qenë se koha në dispozicion është e madhe, por në ekipin blu mund të ketë dhe huazime. Edhe pse mungojnë firmat, gazeta zbulon se klubi po bisedon me disa futbollistë cilësorë dhe ndoshta, para nisjes për fazën përgatitore, mund të kemi edhe konfirmimet e para për këtë merkato. Blutë nuk duan që të jenë në kalimtarë sezonin e ri dhe për këtë duhet që të “blindojnë” skuadrën.
Teuta mendon për fazën përgatitore, blutë do të “fluturojnë” jashtë vendit. “Djemtë e detit”, pavarësisht se nuk kanë bërë asnjë afrim, përsëri po mendojnë për fazën përgatitore. Nga sa mësohet, blutë po mendojnë të “fluturojnë” jashtë Shqipërisë.
Një opsion është Bullgaria. Data për të nisur përgatitjet tashmë është caktuar dhe drejtuesit dëshirojnë që kur skuadra të udhëtojë për fazë, të jetë e plotë. Pritet që nisja nga Durrësi do të bëhet më datë 13 korrik dhe ekipi do të qëndrojë dy javë të plota në shtetin fqinj. Gjatë përgatitjeve do të zhvillohen disa ndeshje miqësore që do t’i shërbejnë trajnerit Longo dhe stafit teknik për kolaudimin e ekipit.
Mendohet që skuadra e sezonit të ardhshëm të ketë në përbërje lojtarë të rinj në moshë, duke qenë se edhe trajneri e njeh mirë mentalitetin e tyre dhe arrin që ta ketë më të lehtë punën duke marrë edhe rezultate. Sa i takon merkatos, drejtuesit kanë mbajtur sekret çdo emër futbollisti me të cilët janë në bisedime, pasi publikimi i tyre do të bënte që tratativat të vështirësoheshin.
Zyrtarizime do të ketë vetëm në momentin që lojtarët do të hedhin firmat mbi kontratë. Nga Teuta janë larguar Albion Marku, Sherif Kallaku, Ildi Gruda, Aleksender Kuros dhe së fundmi zyrtarisht është larguar edhe Jurgen Goxha.