5 mars 2015 – Në fushat kryesore të politikës, kancelarja gjermane dhe Komisioni i BE-së janë të të njëjtit mendim. Lojëra për pushtet për drejtimin e Evropës, nëse ka të tilla, bëhen vetëm pas dyerve të hapura.

Ata i flasin njëri-tjetrit me "ti", përqafohen kur takohen. "Mikesha Angela" dhe "Jean-Claude i dashur" përcjellin një pamje harmonie. Kancelarja Angela Merkel erdhi për vizitë prezantuese në Bruksel, te Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, për t'i sqaruar Komisionit Evropian të mbledhë prioritetet që ka për Evropën, vendi më i madh anëtar. Një vizitë e tillë te Komisioni në detyrë prej katër muajsh është disi e pazakontë. Merkel-i dhe Juncker-i e njohin njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë. Ata ndërkohë janë politikanët e lartë me periudhën më të gjatë në post në skenën evropiane. Të dy janë kristiandemokratë, kuptohen me njëri-tjetrin. "Këtë nuk ka nevojë ta theksosh më, kjo është sikur t'u dërgosh frigoriferë eskimezëve", tha për këtë në Bruksel Angela Merkel.

Por politikisht, Merkel-i dhe Juncker-i muajt e fundit janë grindur shpesh. Jean Claude Juncker, i cili për shijen e konservatorëve e kërkon tepër shumë afrinë me socialdemokratët, sipas interpretimit të Berlinit është shumë i butë në zbatimin e rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes. Kancelarja Merkel vetë iu ankua "Jean-Claude-it të dashur" para disa ditësh në telefon, sepse ai i ka lejuar Francës përjashtime të tjera në arritjen e kufijve buxhetorë, në buxhetet publike. "Unë e regjistrova këtë fakt", e komentoi ndodhinë Merkeli në konferencën e shtypit në Bruksel. "Unë besoj se në Francë kemi një proces reformash. Ne duam ta ndihmojnë Francën", tha kancelarja. Junckeri dha siguri se Francës i zgjatet afati për respektimin e deficitit buxhetor vetëm në këmbim të masave të tjera dhe të përpjekjeve për reforma.

Merkel-i e lëvdoi Komisionin e BE-së të paktën për shpejtësinë, me të cilën ai përpiqet t'i kryejë projektet që ka ndërmend. "Unë kam respekt të madh", tha Merkel-i. Presidenti i Komisionit Evropian u shpreh i gëzuar që ajo "e njeh faktin që ne punojmë me shpejtësi".

Juncker-i brenda Komisionit nuk i kursen kritikat për shtete të caktuara. Ish-kryeministri i Luksemburgut angazhohet gjithmonë fort për interesat dhe barazinë e shteteve më të vogla. Gjermania, kritikon ai, është e prapambetur në investime. Juncker-i është shprehur gjithashtu për marrje të përbashkëta borxhesh nga shtetet e BE-së përmes Eurobondeve, ndërsa Merkel-i është rreptësisht kundër.