Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pohoi në intervistën për gazetën gjermane «Braunschweiger Zeitung», se Greqia është në rrugë të drejtë. 

Kancelarja vë në dukje se po bashkëpunon mirë me qeverinë greke, e cila sipas saj  “dëshiron të bëjë ndryshime”. 

Gjithashtu znj.Merkel shpreh mirëkuptimin e saj edhe për protestat e vazhdueshme që zhvillohen në Greqi kundër politikës së kursimit dhe justifikon portretizimin e saj si “naziste”, duke folur për “të drejtën e lirisë së mendimit”. “Është mirë që në Europë secili mundet të protestojë dhe të thotë lirisht mendimin e tij. Unë e di se nga shumë njerëz në Greqi po kërkohen jashtëzakonisht shumë sakrifica”, tha ajo. 

Kancelarja gjermane thekson se “jemi në një proces që do të vazhdojë shumë vite, në një proces të ndryshimeve të mëdha, të cilat janë të pashmangshme” dhe flet për “testin më të madh të Evropës në dekadat e fundit”, ndërsa hedh poshtë akuzat e opozitës gjermane, sipas së cilës ajo nuk iu thotë njerëzve të vërtetën.