Policia e Shtetit njofton se në kuadër të masave për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të Kancelares së Gjermanisë dhe Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në vendin tonë, ditën e nesërme në Tiranë, në disa segmente rrugore, për motive sigurie, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.

Sipas policisë, masat do të merren që nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të datës 14 shtator, teksa iu kërkon drejtuesve të mjeteve që të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.

Shërbimet e Policisë do jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët  e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative, si dhe për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës që do kenë nevojë.