GJERMANI, 8 prill 2013– Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka bërë thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që t’iu japë organizatave joqeveritare një “shans të dytë”.

Ajo ka thënë se Rusia ka nevojë që shoqëria e saj civile të lulëzojë.

Sipas saj, Rusia tani varet nga depozitat e lëndëve të para dhe zhvillimi i infrastrukturës, në nxitjen e rritjes ekonomike.

Merkel ka thënë se Rusia ka nevojë të ripërtërihet dhe se organizatat joqeveritare mund ta ndihmojnë në këtë drejtim.

Merkel i ka bërë këto komente në hapje të një panairi industrial, në Hanover të Gjermanisë, i cili është ndjekur edhe nga presidenti rus, Putin.

Komentet e saj janë bërë pas një valë inspektimesh shtetërore në OJQ-të në Rusi.

Në një intervistë për një televizion gjerman, Putin ka mbrojtur inspektimet, duke thënë se rusët kanë të drejtë të dinë se cilat OJQ marrin fonde nga jashtë dhe për çfarë i përdorin.