Pas polemikave të krijuara mes qeverisë së sapo zgjedhur në Itali dhe mediave e politikanëve në Gjermani, reagon për herë të parë kancelarja gjermane Angela Merkel. Shefja e qeverisë gjermane i shtriu dorën Romës zyrtare në përballimin e sfidave kryesore, siç është kriza e emigrantëve.
“Gjermania dhe Italia duhet të ulen e të flasin me njëra-tjetrën, në vend të një komunikimi të zhdrejtë, e me nënkuptime të dyanshme. Sa i përket emigrantëve, Italia është ndjerë e vetme për një kohë të gjatë, prandaj duhet të ulemi e të bisedojmë gjerësisht mbi problematikën e azilit.”
Merkel ftoi të gjithë vendet anëtarë të dialogojnë me qeverinë e re italiane, por nuk la pa kujtuar se BE bazohet në rregulla fikse dhe bashkëpunim.
Ndërhyrja e kancelares gjermane vjen pas tensioneve të krijuara mes Romës dhe Berlinit. Mediat gjermane ironizuan qeverinë e krijuar nga aleanca euroskeptike Lëvizja 5 Yjet – Lega Nord, duke e portretizuar si eliminim politik i Italisë.