Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka vizituar kundërshtarin e Vladimir Putin, Aleksey Navalny gjatë kohës që ky i fundit ishte në spital. Media gjermane “Der Spiegel” shkruan se Merkel ka vizituar spitalin Charite në Berlin gjatë kohës që aty ishte i shtuar Navalny.
Kjo media shton se takimi ka qenë tepër sekret. “Vizita e fshehtë te Navalny është një tjetër shenjë se sa kancelarja është e përkushtuar ndaj tij dhe nuk do të lë çështjen pa zgjidhur. Fakti që vetë Kancelarja vizitoi politikanin e opozitës duhet të jetë një e dhënë për qeverinë ruse se Berlini nuk do të dorëzohet në këtë çështje dhe do të zbulojë të vërtetën”, shton “Spiegel”.
Aleksey Navalni për më shumë se një muaj u trajtua në spitalin gjerman, pasi ndaj tij u tentua helmimi. Sipas raporteve të huaja, mendohet se pas helmimit të tij fshihet Moska zyrtare, por qeveria e Putin deri tani ka mohuar çdo gjë.
Tashmë politikani i opozitës është shëruar, por po përballet me një problem tjetër. Qeveria ka vendosur që t’i ngrijë të gjitha asetet, nisur që nga llogaritë bankare dhe pronat e paluajtshme.