Qeveria e re e Malit të Zi, e cila për herë të parë pas gati tri dekadash nuk është formuar nga Partia Demokratike e Socialistëve, mori detyrën të hënën.

Kryeministri i deritashëm, Dushko Markovic konfirmoi në Twitter se i ka dorëzuar detyrën kryeministrit të ri, Zdravko Krivokapic.

“Shpresojmë se kjo Qeveri do të punojë në interes të Malit të Zi dhe të gjithë qytetarëve të tij”, shkruan Markovic.

Krivokapic dhe kabineti i tij, i cili përbëhet nga 12 ministra dhe një zëvendëskryeministër, janë zgjedhur në një seancë të Kuvendit të Malit të Zi, më 4 dhjetor.

Ata i kanë mbështetur 41 deputetë nga gjithsej 81. Qeveria e re përbëhet nga tre koalicione, ndërsa dominohet nga partia Fronti Demokratik, e cila cilësohet si pro-serbe.

Partia Demokratike e Socialistëve, e cila udhëhiqet nga presidenti Millo Gjukanovic i ka humbur zgjedhjet e 30 gushtit, për herë të parë pas gati 30 vitesh.