Ndërtesa historike e bursës së Kopenhagenit në Danimarkë është përfshirë nga zjarri. Ndërtesa e shekullit të 17-të është një nga më të vjetrat dhe të pranishmit u tmerruan nga kulla e ndërtesës që kolapsoi nën flakë. Të gjithë brenda ndërtesës patën mundësi të largohen duke mos shkaktuar viktima. Ndërkohë disa prej të pranishmëve nxituan brenda saj për të shpëtuar disa prej pikturave historike.
Ministri i Kulturës Jakob Engel-Schmidt tha se 400 vite të kulturës daneze u dogjën në flakë. Ndërtesa, që daton nga viti 1625, është vetëm 300 metra larg parlamentit danez Folketing dhe pallatit mbretëror Christianborg. Sipas mediave daneze, i gjithi sheshi përreth është evakuuar.
Ndërtesa e vjetër e bursës po rinovohej dhe ishte mbuluar me skela dhe mjete të tjera plastike mbrojtëse. Në ndërtesë operonte dhoma daneze e tregtisë që i përshkoi skenat e së martës si një pamje e tmerrshme.
Për shumë danezë kjo ndërtesë përfaqësonte një lloj Notre Dame të qytetit, që gjithashtu u përfshi nga flakët në Paris, ndërkohë që po rinovohej.
Shkaku i zjarrit në Kopenhagen është për momentin i panjohur, por shërbimet e urgjencës thanë se skelat e vështirësuan funksionimin e tyre. Pjesa më e madhe e ndërtesës mendohet të jetë dëmtuar rëndë nga zjarri, i cili zyrtarët thonë se ishte më intensiv rreth kullës së saj.