Policia shqiptare ka vënë në pranga dy të arratisurit nga burgu grek. Bëhet fjalë për Lodovik Kolën dhe Enkeled Myrten, të cilët u arrestuan në sajë të operacioni të koduar “Fundi i Arratisë”.

Dy personat tentuan të trafikonin lëndë të dyshuar narkotike, armë zjarri dhe municione luftarake, drejt shtetit grek.

Operacioni
Policia bëri të ditur sot se arrestimi i dy të arratisurve nga Burgu të Greqisë është bërë në flagrancë si edhe që në pranga ka rënë dhe një bashkëpunëtor tjetër i tyre. Të tre këta persona tentuan të trafikonin lëndë të dyshuar narkotike, armë zjarri dhe municione luftarake, drejt shtetit grek.

Sekuestrohen 3,3 KG lëndë e dyshuar Cannabis Sattiva, 3 armë zjarri automatike, 1 pistoletë, si edhe një sasi e konsiderueshme municionesh luftarake.

Specialistët e Sektorit për Trafiqet dhe Narkotikët në DVP-Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, si edhe me autoritetet policore Greke, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Fundi i Arratisë”, në finalizimin e të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve :

Lodovik Kola, 42 vjeç, banues në fshatin Bicaj-Pukë,

Enkeledi Myrte, 34 vjeç, banues në fshatin Braçanj-Devoll,

Shpëtim Hidri, 44 vjeç, banues në fshatin Mal Bardhë-Kurbin.

Si rezultat i bashkëpunimit të kryer me autoritetet policore greke, u sigurua informacion në rrugë operative se, dy shtetas shqiptarë konkretisht Lodovik Kola dhe Enkeledi Myrte, të cilët vuanin dënimin në Burgun e Menemenit në Greqi, për veprat penale të “Vrasjes” dhe “Trafikimit të Narkotikëve”, ishin arratisur prej këtij Institucioni më datë 17.05.2016 dhe kishte të dhëna, se ndodheshin në Shqipëri.

Efektivat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore Korçë, duke koordinuar veprimet dhe mirëorganizuar punën në kuadër të këtij operacioni, bënë të mundur lokalizimin e shtetasve të lartpërmendur.
Arrestimi i tyre, u bë pasi dje, në aksin rrugor Vishocicë-Braçanj, të rrethit Devoll, shtetasit Lodovik Kola dhe Enkeledi Myrte, u kapën në flagrancë, duke lëvizur me automjetin tip “Renault” me targa AA 122 EH, me pronar si edhe drejtues shtetasin Shpëtim Hidri.

Gjatë kontrollit të ushtruar, këtij automjeti, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale :

– 2 (dy) pako të mbështjella me letër natriban, me një peshë prej 3,3 KG lëndë të dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva.

-3 (tre) armë zjarri automatike model 56.

-1 (një) armë zjarri tip pistoletë, së bashku me një krëhër me (gjashtë) fishekë.

-242 copë fishekë (model 56) dhe 44 copë fishekë (model 54)

-3 (tre) krëhër metalikë bosh, kalibri 7.62 mm.

-Atomjeti tip “Renault” me targa AA122EH.

-Një sasi kartëmonedhash prej 800 Euro si edhe 6 aparate celulari.

Këtë sasi të lëndës së dyshuar narkotike, armëve dhe municionit luftarak, të cilat u gjetën të fshehura në automjetin tip “Renault”, këta tre shtetas po i transportonin drejt kufirit të gjelbër, ku dyshohet se do t`i trafikonin për në shtetin grek.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit” të kryera në bashkëpunim, të mbetur në tentative, parashikuar nga nenet 283/a/2 ; 278/a/2 dhe 22 të Kodit Penal.