Pas disfatës së Shqipërisë, ishte radha e Kosovës të përballej me fundin e “ëndrrës amerikane”, teksa u mposht minimalisht 0-1 nga Turqia në finalen e “play-off”-it për Botërorin 2026, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, kur në minutën e 53’ Kerem Akturkoglu përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë mposhti portierin e Kosovës, duke kaluar Turqinë në avantazh.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, me “Dardanët” që u shfaqën më kërkues dhe krijuan disa raste të pastra shënimi. Mundësia më e mirë erdhi nga Fisnik Asllani, goditja e të cilit u ndal nga portieri turk, ndërsa edhe traversa i mohoi golin sulmuesit kosovar.

Në pjesën e dytë, Kosova provoi të reagojë dhe shtoi presionin në minutat e fundit, duke iu afruar disa herë barazimit. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 87’, kur portieri turk ndali sërish Asllanin, ndërsa pati edhe pretendime për penallti për prekje të topit me dorë.

Pavarësisht përpjekjeve, kuqezinjtë e Kosovës nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës, ndërsa Turqia menaxhoi avantazhin deri në fund, duke siguruar kualifikimin dhe rikthimin në Kupën e Botës pas një mungese 24-vjeçare.

Kjo humbje i jep fund ëndrrës së Kosovës për një pjesëmarrje historike në Botëror, ndërsa Turqia feston një sukses të madh në transfertë.