Check-in elektronik është sistemi që pritet të nisë nga puna pas përurimit të terminalit të ri të pasagjerëve. Me aplikimin e këtij sistemi porti i Durrësit do t’u afrohet edhe më tepër standarteve europiane të porteve të vendeve fqinje. Sistemi i ri garanton një kontroll të rreptë në hyrje-daljet nga porti, eleminimin e informalitetit të kompanive të udhëtimit si dhe përpunim në kohë rekord dhe online të pasagjerëve dhe automjeteve  

Një projekt me vlerë 600 mijë euro, i cili do të vihet në zbatim pas inagurimit të terminalit të ri të pasagjerëve, i jep fund jo vetëm informaliteteve të kompanive të lundrimit, por, në kohë reale, përpunon online në sistem të dhënat e udhëtarëve.

“Check-in” elektronik, është një sistem i cili pritet të implementohet nga Autoriteti Portual së shpejti. Asnjë pasagjer nuk do të mund të hyjë në portin e Durrësit, pa prerë biletë më parë, gjë e cila ka ndodhur rëndom deri tani. Përmes këtij sistemi, që në momentin e blerjes së biletës, të gjitha të dhënat e personit që do të udhëtojë u transferohen autoriteteve respektive në port duke mundësuar një përpunim më të shpejtë të trageteve dhe shërbim më të mirë për vetë udhëtarët.

Vegim Hoti, specialist i IT-së, në një prononcim për “Dyrrah” deklaroi se projekti është realizuar në bazë të normativave të reja të ISPS-së (International Ship and Port Security) që imponojnë përdorimin e sistemeve të sigurisë dhe kontrollit në fazën e hyrjes në port si edhe gjatë tranzitit në sheshet e imbarkimit. Këto normativa kërkojnë që brenda zonës së imbarkimit të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerë dhe automjete të pajisur me tituj udhëtimi nominative (kartë për imbarkim).

“Autoriteti Portual i Durrësit po përfundon së ngrituri një sistem të centralizuar check-in për kontrollin e pasagjerëve dhe të automjeteve të imbarkuara, i cili po integrohet me sistemet e prenotimit të kompanive të udhëtimit për menaxhimin e veprimeve të imbarkimit dhe zbarkimit. I  integruar me sistemin e kontrollit të hyrjeve në port, sistemi ofron një proçes check-in të centralizuar, i cili është në përputhje me politikat e sigurisë dhe lëvizjes të parashikuara nga Autoriteti Portual”,- tha Hoti.

Ndërkohë drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu, theksoi se aplikimi i këtij sistemi do të shmangë abuzimet e kompanive të udhëtimit, të cilat në kohë fluksi transportonin më shumë pasagjerë sesa ç’ishte kapaciteti i lejuar i trageteve. “Risi është fakti që sistemi sjell lehtësi në proçedura për të gjithë pasagjerët, siguri, por edhe efikasitet në eleminimin e evazionit fiskal që kryejnë operatorët privatë në portin e Durrësit. Jo rrallë herë ka ndodhur që tragetet kanë lënë në terminal me qindra pasagjerë, të cilët kishin prenotuar më parë, dhe kanë imbarkuar të tjerë, të cilët mbërrinin më vonë në port. Tani asnjë pasagjer që nuk e ka prerë biletën nuk do të lejohet të hyjë në port. Në mungesë të të dhënave, tragetet merrnin pasagjerë më shumë se kapaciteti i lejuar dhe krijonin evazion fiskal. Vënia në funksion e këtij sistemi do të thotë shmangie nga këto abuzime”,- deklaroi drejtori i APD-së Eduard Ndreu.

Check-in elektronik

Prane sallës së kontrollit të Autoritetit Portual Durrës është realizuar instalimi i të gjithë komponentëve hardware e software bazë të dimensionuara posaçërisht për të përballuar kërkesat e sistemit. Ky projekt që është realizuar dhe pritet tashmë të nisë të implementohet do të jetë një vlerë e shtuar për terminalin e ri të trageteve, i cili do të përfundojë së shpejti. Terminali i ri i trageteve do të zërë një sipërfaqe prej afro 70.000 metra katrorë, ku do të përfshihen ndërtesa e terminalit, sheshi i parkimit për automjetet dhe të gjitha shërbimet e tjera të nevojshme për udhëtarët. Duke instaluar një sistem të ngjashëm me atë të aeroporteve që nga prenotimi dhe blerja e biletës së udhëtimit e deri tek imbarkimi, udhëtarëve do t’u ofrohet një shërbim më i mirë dhe më i shpejtë, pasi autoritetet e ndryshme që veprojnë në port do të dinë me saktësi numrin e pasagjerëve që do të përpunohen në terminal. Një pjesë e informacionit do të përdoret nga Forca e Sigurisë së portit të Durrësit për të menaxhuar trafikun si të udhëtarëve, ashtu edhe të automjeteve.

Në një optikë të tillë, duke iu referuar Autoritetit Portual të Durrësit, janë shtuar pranë portave hyrëse të portit sisteme të automatizuara të pajisura me sensorë për leximin e targave dhe kolonave multimediale, që bëjnë të mundur identifikimin automatik të mjeteve nëpërmjet telekamerave LPR (me funksionalitete të integruara OCR) duke identifikuar mjetet me prenotim të rregullt, operatorët portualë apo mjetet e papajisura me leje. Telekamerat LPR garantojnë leximin e targave në hyrjet monokorsi, menaxhimin e të gjitha targave të njohura ligjërisht nga autoritetet shtetërore si dhe operativitet gjatë ditës dhe natës në të gjitha kushtet ambientale. Sistemi check-in do të realizojë evidentimin e targave për automjete dhe motorë dhe do të jetë i pozicionuar pranë hyrjeve ekzistuese. Gjithashtu ai përfshin sistemin e menaxhimit për nxjerrjen automatike të kartave të imbarkimit në portat hyrëse.

Infrastruktura e nevojshme e këtij sistemi elektronik menaxhohet nga “Tetra Solutions” shpk, një kompani e specializuar në ofrimin e shërbimeve dhe zgjidhjeve në fushën e teknologjisë së informacionit. Përmes këtij sistemi të gjitha autoritetet që operojnë në port janë në gjendje të dinë paraprakisht personat që do të udhëtojnë, numrin e tyre, automjetetet që do t’i shoqërojnë etj. Duke i disponuar këto të dhëna, i gjithë proçesi i imbarkimit kryhet shumë shpejt dhe pa pengesa artificiale për udhëtarët. Njëkohësisht, agjensitë shtetërore para se trageti të mbërrijë në destinacion, në Bari, u ofrojnë autoriteteve italiane të gjithë informacionin e nevojshëm që edhe ata ta kenë më të lehtë përpunimin e tragetit që presin. Check-in elektronik lejon dhe garanton një nivel të përshtatshëm “hapjeje” dhe bashkëveprimi me sistemet e tjerë (kompani udhëtimi, Polici, nëpunës portualë etj)  duke siguruar një integrim fleksibël me sistemet informative të të gjithë aktorëve të përfshirë në proçesin e imbarkimit.

Përparësitë e këtij projekti

Sistemi i ri që pritet të nisë të zbatohet menjëherë pas inagurimit të terminalit të ri të pasagjerëve lejon hyrjen në port të operatorëve portualë nëpërmjet leximit automatik të targës së automjetit të regjistruar paraprakisht. Në të njëjtën kohë, sistemi i centralizuar check-in u lejon Autoriteteve të Sigurisë Portuale të bëjnë kërkime në kohë reale për të verifikuar praninë e një mjeti apo pasagjeri në sheshet e imbarkimit. Përdorimi i një zgjidhjeje të kësaj tipologjie, favorizon hapjen përtej kufijve kombëtare duke forcuar kështu bashkëveprimin me autoritetet italiane dhe ato të vendeve të tjera. Integrimi i sistemit me sisteme të ngjashëm të Autoriteteve Portuale italiane dhe eventualisht edhe të vendeve të tjera do të sjellë përfitime të mëtejshme si: mundësi të përdorimit të arkivit të të dhënave në kohë reale midis porteve; optimizim të lëvizjeve brenda portit falë kontrollit në kohë reale të fluksit në mbërritje nga portet e tjera; verifikim të tranziteve në hyrje dhe në dalje midis zonave portuale të ndryshme; krijim të “listave të zeza” (black lists)  të përbashkëta. Sistemi i centralizuar check-in “multiuser” dhe “multienterprise”, lejon stampimin dhe verifikimin e kartave të imbarkimit nëpërmjet komunikimit me software-t. Gjithashtu sistemi lejon hyrjen në siguri të plotë në zonën e imbarkimit dhe më tej në bord të pasagjerëve dhe mjeteve.

I gjithë ambienti server dhe software-i përkatës check-in është projektuar dhe konfiguruar për të operuar në modalitet “fault-tolerant”, që të mund të menaxhojë pika të larta ngarkese edhe në rast të keqfunksionimit të pjesshëm të një apo disa elementeve përbërës. Zgjidhja e bazuar mbi teknologji dhe instrumenta inovative i garanton Autoritetit Portual të Durrësit një nivel të lartë sigurie në menaxhimin e trafikut në hyrje dhe në dalje të portit, duke garantuar kontroll të përpiktë të të gjithë automjeteve që hyjnë në port, menaxhim të ndryshueshëm të hyrjeve në varësi të tipologjisë së personit që hyn në portin e Durrësit, kontroll dhe menaxhim i flukseve hyrëse të mjeteve në zonat e imbarkimit, kontroll i përpiktë në dalje për të gjithë mjetet që janë lejuar të hyjnë në port, stampim dhe lexim të kartave/titujve të imbarkimit konform normativës ISPS, monitorim dhe kontroll në kohë reale të operacioneve. Sistemi zotëron karakteristika bashkëveprimi që lehtësojnë integrimin me sisteme dhe/ose informacione te tjera, si psh: mbërritjen/nisjen e trageteve, administrim të ankorimeve, mbërritjen e mjeteve të destinuara për aktivitete portuale (transportim mallrash, catering, furnizim anijesh, mirëmbajtjeje, grumbullim të mbeturinave etj), lista të imbarkimit për pasagjerët dhe për mjetet që do të mbërrijnë, shkëmbim të dhënash midis operatorëve portualë, menaxhim të lejeve hyrëse në port për personat e autorizuar etj.



 

Elementët përbërës të projektit:

  1. Normativa ISPS
  2. Plani i lëvizjes në port
  3. Plani i sigurisë së portit
  4. Përcaktimi i skelave dhe zonave të imbarkimit
  5. Kohët mesatare të imbarkimit të parashikuara për secilën kompani
  6. Vendndodhja dhe adresimi i portave hyrëse në zonat e imbarkimit
  7. Shtrirja e rrjetit LAN/WLAN (dorsalet me fibër optike) të portit 


 

Karakteristikat e terminalit të ri të pasagjerëve

– 5.400 m2 – Ndërtesa e Terminalit me konstruksion metalik dhe xhami, sipërfaqe e mjaftueshme për të përballuar fluksin e pasagjerëve që përdorin portin e Durrësit.

– 63.500 m2 – Sheshe për automjetet; 2.100 m2 – Hapësirë parkimi për automjetet,  226 m – Lidhje direkte (foot bridge) me stacionin e trenit në qytetin e Durrësit, duke e bërë terminalin aksesibël për të gjithë udhëtarët që përdorin linjat hekurudhore.

– Pika kontrolli hyrje/dalje për të përballuar afro 2000 pasagjerë/orë në periudhë piku.

– Hapësira dhe pajisje për kontrollet doganore

– Në terminal do të instalohen të gjitha shërbimet bashkëkohore të nevojshme për udhëtarët si: bar, restorant, ambiente pritjeje, akses interneti etj.