Pas tre ditë negociatash të vështira, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votuan të hënën mbrëma për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë federale që filloi të shtunën.
Demokratët në Kongres ranë dakord t’i besojnë premtimit të udhëheqësit të shumicës republikane të Kongresit Mitch McConnell se ai do të adresojë pa vonesë shqetësimet e tyre lidhur me programin DACA, i cili mbron nga deportimi emigrantët e sjellë në SHBA që fëmijë nga prindërit e tyre.
Programi përfundon më 5 mars.
Bëhet fjalë për rreth 700 mijë të ashtuquajtur “ëndërrimtarë”, e ardhmja e të cilëve në SHBA është e pasigurt.
Ndikimi që pati mbyllja e agjencive qeveritare ishte minimal. Qindra mijëra punonjës të qeverisë që u prekën nga mbyllja qëndruan vetëm një ditë në shtëpi.
Të hënën pasdite, demokratët pranuan një kompromis mbi projektligjin e shpenzimeve, pas premtimit të zotit McConnell.
Udhëheqësi i pakicës demokrate të Senatit Chuck Schumer njoftoi të hënën se anëtarët e partisë së tij do të votonin bashkë me republikanët për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë.
Por ai paralajmëroi zotin McConnell se pret që republikanët të mbajnë premtimet lidhur me programin DACA.
“Nëse ai nuk e bën këtë, por unë sigurisht pres që ai ta bëjë, do të shkelë jo vetëm mbi besimin e senatorëve demokratë, por edhe të anëtarëve të partisë së tij”, tha senatori Schumer.
Ngërçi, i pari i këtij lloji që nga viti 2013, mjegulloi përvjetorin e parë të inaugurimit të Presidentit Donald Trump që u shënua të shtunën./Zëri i Amerikës