Nga shëtitorja “Taulantia” e deri në Currila, deti është tërësisht i pastër: Nuk ka më shkarkime të ujërave të ndotura në det.
Prej afro një viti nuk ka më asnjë shkarkim të ujërave të ndotura në det. Janë mbyllur përfundimisht të gjitha derdhjet e ujërave të ndotura në det, që shkaktoheshin përpara, kryesisht nga restorantet që gjenden përgjatë vijës bregdetare të zonës në fjalë.
Kjo u arrit si rezultat i përfundimit të ndërtimit të një rrjeti të ri të ujërave të ndotura të zonës nga Currilat e shëtitorja “Taulantja” në Durrës, si dhe të Stacionit të Ri të Pompimit (pranë lokalit “Tivari”). Tani të gjitha ujërat e ndotura të zonës mblidhen dhe dërgohen me tubacion tek impianti i trajtimit në Shënavlash.
Ky ndërtim u arrit të realizohet me fonde të Bankës Botërore, dhe është marrë tashmë në dorëzim edhe nga Ujësjellës Kanalizime Durrës. Shëtitorja në fjalë po i nënshtrohet së fundmi edhe një investimi të ri për rehabilitimin e saj, me fonde nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, ka raste kur ka reshje të mëdha shiu, që UKD detyrohet të derdhë ujëra të ndotura në det vetëm në një vend, afër Stacionit të Ri të Pompimit, në pjesën “përballë dy kullave” të Shëtitores “Taulantja”. Kjo derdhje shoqërohet me erën e keqe të njohur. Por kjo ndodh vetëm kur ka reshje të mëdha shiu, sepse normalisht nuk ka më asnjë derdhje ujërash të ndotura në det.
“Detyrohemi ta bëjmë këtë derdhje në det, kur ka reshje të forta shiu, sepse në një pjesë të zonës në fjalë, si dhe në pjesë të tjera të qytetit të Durrësit, kanalizimet e ujërave të shiut janë shpesh bashkë me ujërat e ndotura, kështu që kur ka reshje të forta shiu këto kanalizime mbushen shumë, aq sa një pjesë shkarkohen në det. Për të ulur nivelin e ujit në këto kanalizime, në Stacionin e Ri të pompimit është ndërtuar një portë manovrimi që mundëson që në raste reshjesh të forta të shiut, tepricat e ujit të shiut të përzier me ujëra të ndotura, të shkarkohen në det”, thekson UKD.
Situata do të sistemohet tërësisht, edhe për rastin e shirave të forta, me ndërtimin e rrjetit të kanalizime të ndara, veç për ujërat e shiut e veç për ujërat e ndotura. Do të duhet një investim i ri në të ardhmen, për të kryer këtë ndarje. “Por e përsërisim, sot normalisht, kur nuk ka reshje të forta shiu, ujërat e ndotura nuk derdhen më fare në det, por dërgohen në impiantin e Shënavlashit”, njofton UKD.





