Policia e Shkodrës ka arrestuar një 29-vjeçar pasi akuzohet për disa vepra penale.

Mësohet se shtetasi Ditmir Juka ka rënë në pranga pasi një vajzë 23 vjeçare ka bërë kallëzim penal për të, me pretendimin se e ka ngacmuar.

Referuar njoftimit të policisë shtetasja U. Rr., 23 vjeçe, banuese në lagjen “Qemal Stafa”, ka bërë kallëzim në polici dhe ka thënë se është përndjekur dhe dhunuar fizikisht nga Ditmir Juka. Sipas saj, i riu ka tentuar ta marrë me forcë duke e goditur, atë dhe babanë e saj, shtetasin R. Rr., 60 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa”.

Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin Jukan, në rrugën nacionale Velipojë-Shkodër, në fshatin Berdicë.

Në përfundimi të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 29-vjeçarit dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Juka akuzohet për veprat penale “Përndjekja”, “Dhuna në familje”,“Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Kanosja“.