27 dhjetor 2014 –  Në kuadrin e nismave që Forumi i Durrsakëve ndërmerr si rrjedhojë e dëshirës së shumë prej pjesëtarëve të tij të kontribuojnë në panoramën e qytetit të zemrës, iniciativa më e fundit që ndërmori ishte: "Merr një kalendar dhe dhuro një buzëqeshje".

Qëllimi ishte të përkrahen dhe mbështeten në këto ditë festash, ata që kanë më shumë nevojë dhe mbi të gjitha të tregohet solidariteti dhe përkushtimi i durrsakëve anembanë botës për problematika të caktuara në qytet e më gjerë.

Duke qenë mbartës ngarkesash emocionale të shumë emigrantëve, u printuan dhe u botuan me mijëra kalendarë nga fotot e vetë pjesëtarëve të publikuara në faqen e Forumit online dhe u krijua një kalendar model me një kosto të vogël, që u dërgua në shtëpitë e mijëra emigrantëve durrsakë në gjithë Evropën, dhe më larg në Kanada dhe SHBA.

Si rrjedhojë u mblodh një shumë me vlerë domethënëse dhe nëpërmjet një procesi super transparent për të evituar keqmenaxhimet, u porositën dhe u blenë lodra dhe dhurata për fëmijët dhe shtresat në nevojë.

Aktiviteti i parë dhuroi dhe emocionin e parë sipas radhës dhe u nis në Shtëpinë e Fëmijës, për të vazhduar në ditët në vijim deri në fund të vitit në disa qendra të tjera, me qëllim që t'u jepet një emocion dhe buzëqeshje, fëmijëve dhe atyre që Festa e fundvitit i gjen në vështirësi.

Supriza në këtë aktivitet do të ketë, sepse është bazuar në një perceptim perëndimor, në vende që pakkush troket dhe në bashkëpunim dhe bashkërendim të bordit drejtues, me një sërë faktorësh lokale dhe institucionalë po rakordohen veprimet përkatëse.

Forumi po përpiqet të japë një shembull pozitiv dhe njëherazi  po përcjell dhe zërin e mijëra emigrantëve durrsake nëpër botë, të cilët duan të jenë po aq kontribues për Durrësin,  sa dhe bashkëqytetarët e tyre që jetojnë aty, duke krijuar kështu dhe ndërlidhjen përkatëse.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/