Policia ka zbardhur pengmarrjen që ndodhi paraditen e sotme në Tiranë, të 39-vjeçarit Ylber Kerës i që ishte bashkë me djalin e tij 7 vjeç në momentin e ngjarjes.

Ylber Kera u fut me zor në makinë nga kushëriri i tij Xhevahit Kera, pasi ky i fundit i kërkoi borxh 150 mijë lekë (të vjetër), dhe pasi 39-vjeçari i tha që nuk e dispononte një shumë të tillë, përfundoi në makinën e pengmarrësit.

Pasi është bindur se kushëriri i tij nuk e kishte shumën e lekëve me vete, Xhevahit Kera e ka lënë të lirë Ylberin në rrugën “Siri Kodra”. Në momentin e konstatimit nga policia, Ylber Kera ishte i ulur në një lokal në gjendje të dehur.

Ngjarja

Më datë 09.01.2016, rreth orës 10: 30, shtetasi Ylber Kera, 39 vjeç, banues në Tiranë, ka qenë duke u kthyer në banesën e tij së bashku me djalin e tij 7-vjeçar dhe në atë moment në rrugë ka qenë kushëriri i tij shtetasi, Xhevahit Kera i cili i ka kërkuar një sasi lekësh borxh (prej 150 mijë lekë të vjetra)

Shtetasi Ylber Kera i ka thënë që nuk disponon lekë me vete, por kushëriri i ka thëne të hipte në automjetin e tij tip Benz duke i kërkuar me patjetër atë sasi lekësh.

Pasi e ka mbajtur në mjet për pak kohë dhe u bind që ky shtetas nuk dispononte lekë me vete, e ka zbritur në rrugën “Siri Kodra” ku dhe u konstatua nga ana e policisë.

Në momentin e konstatimit nga policia, shtetasi Ylber Kera, ishte ulur në një lokal në gjendje të dehur.

Sipas deklarimeve të këtij shtetasi, dyshohet se nga ana e kushëririt të tij ky është një veprim i përsëritur pasi kërkon shpesh lekë borxh dhe disa herë i ka marrë edhe sende të tij personale si celular.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit Xhevahit Kera.