30 nentor 2013 –  Refuzimi i një vajze për tu martuar me Bledar Halilajn, e ka shtyrë këtë të fundit, që në bashkëpunim me dy miqtë e tij, ta marrë peng atë, për ta bindur që të kalonin jetën sëbashku. Historia e pazakonte ka ndodhur disa muaj më parë në një fshat të Kukësit. Tre protagonistët e saj janë vënë tashmë nën akuzë dhe pritet të përballen me Gjykatën e Krimeve të Rënda, për akuzën e "mbajtjes peng dhe rrëmbimit të personit". Vajza, ka dëshmuar se nuk ka pasur njohje të mëparshme me autorët e krimit dhe se ka refuzuar martesën me të pandehurin Bledar Halilaj. Tre të pandehurit Bledar Halilaj, Vullnet Spahiu dhe Saimir Kolgjini rrezikojnë dënimin deri në 15 vite burg secili, sipas Kodit të ri Penal. 
Dosja e prokurorisë 
Mëngjesin e datës 14.11.2012, i pandehuri Bledar Halilaj (banor i fshatit Canaj-Kukës), në bashkëpunim me të pandehurit Sajmir Kolgjini (banues në Zal Lusën, Kukës), Vullnet Spahinë (banues në Bicaj, Kukës) dhe një person të katërt (i paidentifikuar), me furgonin tip 'Ford' me targë AA xxxxx BP, të të pandehurit Vullnet, të drejtuar po prej tij, rreth orës 07:30'', në rrugën e fshatit Osmanaj (Kukës), i janë afruar nga afër shtetases B.B dhe me forcë, duke e kapur nga krahët e kanë hipur në furgon, dhe me shpejtësi janë larguar që aty. Në furgon, vajzën e kanë vënë me forcë në pjesën e pasme të tij. Që në momentin e rrëmbimit vajza ka kundërshtuar me forcë dhe ka thirrur e ka bërtitur, por të pandehurit e kanë goditur me shpulla e grushte që të mos bërtiste. Vendi ku ata e futën në furgon vajzën ishte jo shumë larg shtëpisë së saj. Vajza kishte dalë në rrugë nga shtëpia, në pritje të furgonit që e transportonte për në shkollë, në fshatin Kolesjan. Ashtu, të marrë me forcë në furgon, ata e kanë zhvendosur vajzën deri në vendin e quajtur Kroji i Ftohtë, në bjeshkët e fshatit Lusën – Komuna Ujmisht (Kukës), në një vend me drejtim verior të rrugës Kukës-Buzëmadh (Peshkopi), afër disa staneve. Në realizimin e rrëmbimit të vajzës, përveç të pandehurit Bledar, të pandehurit e tjerë kishin mbuluar fytyrën me kapuça, mesa duket për të mos i dhënë asaj mundësi t'i njihte cilët ishin. Gjatë rrugës deri në bjeshkët e fshatit Lusën, kundërshtimit të fortë të vajzës ata i janë përgjigjur duke e goditur me shpulla e grushta, e kanosur me jetë atë dhe familjen e saj, si dhe dhunuar psikologjikisht. Për të shkuar deri në bjeshkët e Lusnit, të pandehurit bënë rreth një orë rrugë. 
Me çuarjen e saj deri tek bjeshkët e Lusnit, aty, ata e detyruan atë të zbriste me forcë nga furgoni. E ndodhur pa ndjenja, këtu, ata e nxorën vajzën nga furgoni dhe e transportuan në krahë disa metra më tej. Këtu, të pandehurit Vullnet e Sajmir, u ndanë nga Bledari e vajza, dhe i lanë ata vetëm. Furgonin e lanë aty, pa e lëvizur nga vendi, dhe vetë u fshehën në rrethinat përreth. Furgoni do të gjendej më pas nga familjarë të të rrëmbyerës B.B, dhe nga policia, aty ku u braktis, në bjeshkët e fshatit Lusën. Sakaq, që në mëngjes ngjarja ishte marrë vesh nga familjarët e B.B, të cilët ishin vënë në kërkim të vajzës së rrëmbyer me furgon. 
Pas rrëmbimit 
Në orët e para të datës 15.11.2012, Bledari bashkë me vajzën u gjetën nga policia në afërsi të banesës së Bledarit. Zbritja e tyre në afërsi të banesës së të pandehurit Bledar, kishte ndodhur si rrjedhojë e këmbënguljes së vazhdueshme të B.B, për të zbritur poshtë nga mali, që të "sqaroheshin" diku për këtë që ndodhi. 
Më pas do të bëhej i njohur fakti se gjatë mbajtjes së vajzës nëpër bjeshkë, natën, në të ftohtë, nëpër zonë të panjohur, Bledari i kishte kërkuar asaj të pranonte të martohej me të, dhe ngaqë vajza nuk e kishte pranuar asnjëherë, Bledari kishte vazhduar ta kërcënonte, duke e kanosur edhe me jetë atë dhe familjarët e saj. Ndër të tjera, ai kishte tentuar të kryejë me forcë marrëdhënie seksuale, me qëllim që pas kësaj vajza të detyrohej të pranonte martesën me të. Që me futjen e vajzës në furgon, Bledar Halili i kishte marrë asaj aparatin celular, duke ja fikur atë, dhe duke ja dhënë atë, vetëm pasditen e asaj dite. Gjatë rrëmbimit, vajzës i ishin shkaktuar plot dëmtime trupore. Furgoni me të cilin u krye rrëmbimi ka qenë me perde dhe me xhama të mbuluar me letër të errët.

/ Gazeta Shqiptare /