Shoferi i autobusit ku u gjetën 520 mijë euro ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me sasinë e parave.

Elidon Çela u shpreh se paratë ishin kursime të familjes dhe se janë të ardhura të krijuara nga biznesi, madje është treguar i gatshëm të vërë në dispozicion edhe faturat.

Kujtojmë se ditën e arrestimit, shoferi i autobusit, Elidon Çela nuk ka pranuar të japë deklaratë para autoriteteve për sasinë e parave, që u gjetën në tavanin e mjetit dhe për të cilat dyshohej se do të kalonin kontrabandë.

Çela u shpreh se pa praninë e avokatit mbrojtës, nuk do të deklaronte asgjë.

ARRESTIMI

Në kuadër të operacionit “Eurot”, është ndaluar autobusi i linjës Padova – Lushnjë, me drejtues shtetasin Elidon Çela, 32 vjeç. Gjatë kontrollit paraprak, shërbimet e Policisë kanë konstatuar mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara.

Autobusi është kthyer për kontroll të specializuar, nga Task Forca permanente që përbehet nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të portit, pasi disponohej informacion nga Policia, se në brendësi të autobusit kishte të fshehura sasi të madha eurosh.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të autobusit janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 522 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me mallrat e dyshuara të kontrabanduara që u gjetën në brendësi të autobusit (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, kuti me mentesha, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje).