Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje katër personat e arrestuar pas bllokimit të 3.4 milionë euro në dy mjete “Toyota” në Portin e Durrësit në qershor 2018. Shpjegime para prokurorëve për llogari të hetimit kanë dhënë Edi Lika, djali i tij Klevi Lika, shoferi Agim Çekaj dhe Alban Mollaymeri.
Sipas burimeve, të gjithë të dyshuarit kanë mbajtur qëndrim mohues. Ata janë shprehur se nuk kanë pasur dijeni për 3.4 milionët e fshehura në bordin e dy mjeteve “Toyota Yaris”. Të arrestuarit e kësaj dosjeje po hetohen për “pastrim të parave”, “armëmbajtje pa leje” dhe “falsifikim të monedhave” në formën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, të cilët dyshohen si të përfshirë në rastin në fjalë janë të shpallur në kërkim dhe autoritetet po punojnë për lokalizminin dhe më pas arrestimin e tyre.
Aksioni për bllokimin e sasive të eurove u finalizua më 24 qershor në Durrës, ndërsa eurot me prerje të ndryshme ishin fshehur në një makinë tip “Toyota Yaris” pa targa. Mjeti ishte nisur nga Belgjika dhe nuk kishte destinacion përfundimtar.





