Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, do të qëndrojë në paraburgim për një periudhë prej një muaji, sipas vendimit të marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Vendimi u mor pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila kishte kërkuar caktimin e kësaj mase ndaj këngëtarit të njohur.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, pasi dëgjoi palët në proces dhe shqyrtoi materialet e çështjes, e konsideroi kërkesën e prokurorisë të bazuar dhe vendosi që ndaj të dyshuarit Besart Kelmendi të caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe konstatoi se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Palët që nuk pajtohen me këtë vendim kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykata e Apelit e Kosovës, përmes Gjykata Themelore në Prishtinë.