Teksa mbajtja e maskave është bërë e detyrueshme në ambientet e mbyllura për të frenuar rastet me koronavirus, vjen një apel nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Manastirliu theksoi se maskat dhe barriera mbrojtëse duhet të bëhet pjesë e veshjes së secilit prej nesh. Sipas saj, duhet të ndihmojmë sistemin shëndetësor në përballimin e situatës.

“Maska ose barriera mbrojtëse duhet të bëhet pjesë e veshjes së secilit prej nesh në normalitetin e ri dhe vendosja e saj është LIGJ në të gjitha ambientet e mbyllura!

Që të ndihmojmë sistemin shëndetësor në përballimin e situatës nevojitet që çdo qytetar të marrë përgjegjësi individuale, duke vendosur detyrimisht maskën, për të ulur përhapjen e infeksionit! Vendose maskën! Ruaj shëndetin. Të ndihmojmë ekipet mjekësore”, apelon Manastirliu.